Gjykata Kushtetuese ka publikuar Aktgjykimin e plotë lidhur me kërkesën e Listës Serbe për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb. Për të hyrë në fuqi Aktgjykimi, duhet të publikohet në Gazetën Zyrtare dhe pastaj nis rrjedhja e afatit.Kushtetuesja ka konstatuar se Kuvendi i Kosovës nuk mund të konsiderohet i konstituar pa zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb dhe ka obliguar deputetët që ta përfundojnë këtë proces brenda 12 ditësh.
“TË KONSTATOJË që ky Aktgjykim hyn në fuqi në ditën e publikimit nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dhe njoftimit të palëve, përveç pikës V të dispozitivit, e cila hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses mbi vendimin e marrë.
Kushtetuesja ka urdhëruar deputetët e zgjedhur që gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
“TË URDHËROJË, që Seanca Konstituive e Kuvendit të përfundojë brenda afatit të përcaktuar me paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe sipas Aktgjykimit të Gjykatës në rastet KO193/25 dhe KO196/25, përkatësisht brenda afatit të mbetur prej 12 (dymbëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi”, theksohet në njoftim.Ndryshe, Kryeparlamentari Dimal Basha e kishte përmbyllur seancën konstituive, pa u zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb.
“Ne si Kuvend nuk kemi mundësi tjetër se si të vazhdojmë sa i përket nënkryetarit që vjen nga komuniteti joshumicë serb, prandaj me këtë rast konsideroj se kemi ezauruar edhe pikën e katërt të rendit të ditës të seancës konstituive dhe meqenëse nuk ka mundësi tjetër objektive se si të procedohet tutje, konsideroj që kjo seancë konstituive konsiderohet e përmbyllur”, kishte deklaruar Basha, në seancën e 30 gushtit.Sipas tij, moszgjedhja e njërit nga pesë nënkryetarët apo njërit nga gjashtë anëtarët e Kryesisë nuk mund të bëhet pengesë që bllokon konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.