Sveçla: Asnjë pjesë e Kosovës nuk do të jetë strehë për kriminelë e armatim ilegal

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas sekuestrimit të armëve dhe pajisjeve ilegale në Mitrovicën e Veriut, duke theksuar se asnjë pjesë e territorit të Kosovës nuk do të shërbejë si strehë për kriminelë apo elemente që cenojnë sigurinë e vendit.

“Asnjë pjesë e territorit të Republikës sonë nuk është më strehë as për kriminelë e as për armatim apo elemente të tjera që cënojnë sigurinë e vendit tonë.

Në qendër të Mitrovicës së Veriut, në bodrumin e një ndërtese kolektive sot janë gjetur dy armë, municion i llojeve të ndryshme, karikatorë, gazmaskë e pranga.

Mbetemi të përkushtuar ndaj rendit dhe ligjit, sigurisë dhe stabilitetit për qytetarët tanë dhe për Republikën tonë”, shkroi Sveçla në Facebook.

Operacioni i Policisë së Kosovës është zhvilluar të shtunën, pas informacioneve për aktivitete të dyshimta pranë Sheshit “Car Lazar” në Mitrovicën e Veriut.

Në bastisjen e kryer nga stacioni policor i Mitrovicës Veri, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, janë sekuestruar një pushkë automatike, një pushkë gjahu, 50 fishekë, pesë karikatorë të zbrazët, një kondak dhe një mbajtës pushke, një këllëf arme, një palë pranga, si dhe një maskë kundër helmeve me çantën e saj.

Prokuroria e Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit për “Mbajtje në pronësi, kontrollë ose posedim të paautorizuar të armëve”. Deri më tani nuk raportohet për të arrestuar, ndërsa hetimet pritet të vazhdojnë.

© SYRI.net