“Më mirë për Tetovën”, që garon në zgjedhjet lokale për Këshillin e Komunës së Tetovës, ka ngritur shqetësim publik për ndërhyrjet e fundit në parkun pranë Xhamisë së Pashës, monument kulture i mbrojtur nga UNESCO dhe simbol i trashëgimisë së qytetit informon Tetovasot.
Në një deklaratë publike, përfaqësuesit e këtij subjekti theksuan se shtrimi i bekatonkave në park jo vetëm që dëmton hapësirën publike të qytetarëve, por edhe rrezikon të shëmtojë imazhin e Xhamisë së Pashës, duke cenuar trashëgiminë kulturore të Tetovës.
“Ky vend nuk është vetëm gur e tullë. Është kujtesa jonë, lidhja me ata që ishin para nesh dhe me ata që do të vijnë pas nesh. Nuk guxojmë të heshtim kur historia jonë rrezikohet, sepse heshtja sot do të thotë humbje nesër për fëmijët tanë”, thuhet në reagimin e “Më mirë për Tetovën” transmeton Tetovasot.
Ata kërkuan urgjentisht nga Komuna e Tetovës që të ndalë punimet, të largojë bekatonkat dhe ta kthejë parkun në gjendjen e mëparshme, duke paralajmëruar se në të kundërtën do të lindin dyshime serioze për përfshirjen e udhëheqësisë komunale në një biznes që, sipas tyre, shëmton imazhin e qytetit.
Subjekti opozitar u bëri thirrje tetovarëve që në zgjedhjet e ardhshme të jenë të kujdesshëm kujt ia japin votën, duke theksuar se pushtetet dhe partitë janë të përkohshme, ndërsa Tetova dhe trashëgimia e saj janë të përhershme.
Postimi i plote:
Të nderuar bashkëqytetarë,
Breza të tërë në Tetovë sakrifikuan që të na lënë një trashëgimi të çmuar. Ata na lanë amanet Tetovën me kulturën, historinë dhe shpirtin e saj.
⁉️ Sot pyetja është: çfarë do t’u lëmë ne fëmijëve tanë? A do t’u lëmë krenari apo turp? A do t’u lëmë një qytet që i ruan vlerat, apo një qytet që i shet ato për interesa të ngushta politike?
Jemi këtu përpara Xhamisë së Pashës, simbol i trashëgimisë sonë kulturore, e mbrojtur nga UNESCO, por mbi të gjitha e mbrojtur nga dashuria e tetovarëve.
Ky vend nuk është vetëm gur e tullë. Është kujtesa jonë, lidhja jonë me ata që ishin para nesh dhe me ata që do të vijnë pas nesh.
⚠️ Por kjo trashëgimi sot rrezikohet. Prej disa muajsh, në parkun pranë Xhamisë së Pashës bëhen ndërhyrje që rrezikojnë të dëmtojnë imazhin e saj, që shkatërrojnë parkun dhe hapësirën e vogël publike që u shërben qytetarëve. Askush nuk na tha pse dhe për kë bëhen këta punime. Por të gjithë e shohim se nuk janë për qytetarët.
❓ Ne pyesim në emër të Tetovarëve:
• Kush përfiton nga këto ndërhyrje?
• Si cënohen interesat e tetovarëve me këta punime?
• A është kjo trashëgimia që duam t’u lëmë fëmijëve tanë?
Kërkojmë urgjentisht nga Komuna që t’i heqin bekatonkat dhe ta kthejnë Parkun në gjendjen e mëparshme, me të njejten shpejtësi dhe efikasitet me të cilën ndërmarrja e parkingut i gjobit qytetarët. Nëse nuk ndodh kjo para zgjedhjeve, atëherë do të kemi dyshime serioze se udhëheqesia komunale është e përzirë në këtë biznes që shëmton imazhin e Xhamisë së Pashës, e me këtë edhe të Tetovës.
Nuk guxojmë të lejojmë që trashëgimia jonë dhe vlerat tona të shiten për interesa të ngushta.
Nuk guxojmë të pranojmë që pasuria kulturore e qytetit dhe dinjiteti i tetovarëve të përdhoset për përfitime politike dhe financiare.
Nuk guxojmë të heshtim kur historia jonë rrezikohet, sepse heshtja sot do të thotë humbje nesër për fëmijët tanë.
Tetova dhe Xhamia e Pashës nuk i takojnë pushteteve te kaluara dhe pushteteve të radhës.
Ato i takojnë tetovarëve. Ato i takojnë brezave që do të vijnë.
Dhe ne e kemi amanet t’i mbrojmë.
✅ Sot është koha të ngrihemi. Jo për parti. Jo për pushtet. Sepse pushteti dhe partia janë të përkohshme, ndërsa Tetova është e përhershme.
Prandaj ju themi: keni kujdes kujt ia jepni votën. Më mirë për Tetovën është këtu që të mbrojë interesat e qytetarëve dhe vlerat e këtij qyteti që duhet t’ua lëmë amanet fëmijëve tanë.