Bashkimi Demokratik për Integrim reagoi ashpër ndaj titujve dhe interpretimeve tendencioze që u shfaqën në një pjesë të mediave, me pretendime për gjoja ndarje të shtetit. Sipas tyre, këto kualifikime janë të pasakta dhe shtrembërojnë një mesazh të qartë dhe të paanshëm.
„Në deklaratë u theksua se qëllimi është që Maqedonia të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, pa u përmendur fare ndarja. BDI dëshiron të kujtojë se, pavarësisht të gjitha sulmeve dhe propagandës gjatë dekadave të kaluara, mbetet e palëkundur në vizionin e saj: Maqedonia të jetë një shtet unitar, i përbashkët dhe i barabartë – jo i ndarë, por gjithmonë atdheu ynë i përbashkët. U bëjmë apel mediave për informim profesional dhe të përgjegjshëm, që nuk do të nxisë perceptime të gabuara dhe keqkuptime te qytetarët“, thuhet në reagimin e BDI-së.