“Besa Trans”/ Gjyqtari i sëmurë, anulohet seanca

U anulua seanca e sotme gjyqësore për lëndën “Besa Trans” pasi mungoi gjyqtari i lëndës Ivica Stefanovski për arsye shëndetësore. Seanca e radhës duhet të mbahet më 24 nëntor, apo një ditë pas përvjetorit të katërt të tragjedisë së autobusit “Besa Trans” në Struma të Bullgarisë ku humbën jetën 45 persona, mes të cilëve 12 fëmijë, ndërsa 7 të tjerë mbijetuan.

Lënda, e cila nuk ka të bëjë me arsyet e aksidentit, por me falsifikimin e certifikatës së licencës së autobusit të aksidentuar fillimisht ka nisur më 15 nëntor të vitit 2022, kur për herë të parë pronari i kompanisë Bekim Haxhiu është ulur në bankën e të akuzuarit. Në mars të vitit 2024 gjykata e shpalli fajtor për falsifikim dhe e dënoi me 20 muaj burg.

Megjithatë Haxhiu e ankimoi vendimin, ndërsa Gjykata e Apelit në dhjetor të vitit 2024 e ktheu nga e para lëndën. Pavarësisht këtij vendimi, Prokuroria nuk heq dorë nga akuza fillestare, sipas të cilës, autobusi nuk ka pasur certifikatë licencë të vlefshme për transport ndërkombëtar, ndërsa prej 10 janarit të vitit 2021 e deri në ditën e aksidentit, ka kaluar kufirin me certifikatë licence të falsifikuar 20 herë. Për këtë, sipas Prokurorisë është fajtor pronari i kompanisë Bekim Haxhiu, i cili nëpërmjet shoferëve të ndryshëm, ka mundësuar që autobusi të udhëtojë në relacione të ndryshme.

Mbrojtja ka mohuar në vazhdimësi se ka bërë falsifikim të certifikatës së licencës, ndërsa insistojnë në formulimin se për të pasur falsifikim, duhet që dikush të krijojë një dokument të rrejshëm, që sipas tyre në këtë rast, nuk ka ndodhur.

Tragjedia e Bullgarisë, mbetet ndër më të rëndat në historinë e vendit, ndërsa familjarët, por edhe opinioni vazhdimisht kanë kërkuar përgjegjësi. Bullgaria hapi hetim për arsyet e aksidentit, megjithatë i mbylli pasi që sipas tyre fajtor ka qenë shoferi që ka humbur jetën në aksident, pasi që ka lëvizur mbi shpejtësinë e lejuar, në kushte të papërshtatshme të rrugës./Alsat.mk