Policia ndalon 33-vjeçarin nga fshati Tanushë: Transportonte mall pa dokumentacion përkatës

Një person tridhjetë e tre vjeç, gjatë ditës së djeshme është privuar nga liria për transport mallrash pa dokumentacion, njoftoi sot Ministria e Punëve të Brendshme.

“Rreth orës 17:30, nëpunës policorë nga SPB-Shkup – Departamenti Policor Mirkovc e kanë privuar nga liria V.R. nga f. Tanushë, rrethi i Shkupit. Gjatë kryerjes së veprimtarisë së patrullimit, në f. Kuçevishtë, rrethi i Shkupit, nëpunësit policorë ndaluan mjetin transportues “Citroen” me targa të Shkupit, të drejtuar nga V.R. dhe gjatë kontrollit të automjetit është konstatuar se në të po transportonte mallra për të cilat nuk posedonte kurrfarë dokumentacioni”, shpjeguan nga MPB-ja.

Është njoftuar prokurori publik dhe pas dokumentimit të plotë të rastit, kundër tij do të ngrihet kallëzim përkatës.