Shkruan: Orhan Ibrahimi
Për ata(ato) që vërtet pyesin për ne, e që nuk kanë informacione, e në veçanti për këto “specie” që shtirren se kinse nuk kanë njohuri për Ne:
LËVIZJA ARBËRIA është një iniciativë e re civilo-politike. Në fakt, tek Ajo janë të ngërthyera idealet, aspiratat, programet nacionale, ato të kahmotshmet – për liri, barazi, drejtësi e demokraci për shqiptarët, të cilët për momentin i kanë lënë këto himere rrugëve, duke ngatërruar shumë keq rrugët.
Themeluesit, anëtarët dhe mbështetësit e LA janë pjesa më e mirë e kombit, bijtë dhe bijat që me devotshmërinë më sublime i kanë shërbyer kombit. Familjet e tyre janë pishtarët që ndriçuan rrugëtim nacional. Janë familjet më të përndjekura për të vetmen arsye: sepse ishin diga, organizim dhe rezistencë ndër shekuj për liri, komb e Zot.
Më pesë korrik, në themelimin e saj defiluan një pjesë e aktivistëve, anëtarëve, të rinjve e të rejave që kurrë nuk kanë pritur të jenë aty ku mbrohet çështja e pazgjidhur e shqiptarëve. Një pjesë e mbështetësve që ishin të informuar dhe nuk morën pjesë atë ditë, mospjesëmarrja e tyre nuk ishte për shkak se kanë rrëshqitur në rrugë e rrugica të tjera, por për momentin i kanë dilemat, dilema të mëdha – se vërtet mund t’ia dalim. Sepse në një vend si ky i yni, ku edhe toka, ajri dhe uji janë të helmuar deri në përmasa katastrofale nga këto organizime politike që shtirren se janë shqiptare… kjo kategori është e jona dhe për çdo ditë po i bashkohet radhëve të LA.
Më pesë korrik, shumë – kur them shumë, ekstremisht shumë qarqe nuk arritën të na befasonin për shkak të përvojës që kemi në organizime. Sepse çuditërisht jashtëzakonisht shumë qarqe ishin të preokupuara, të interesuara, të involvuara – u munduan, prej së largu dhe afër, të pengonin që Kuvendi Themelues i LA të dështonte në prezencë sasiore dhe cilësore.
Dora e shtetit, që është në unison me dorën e BDI-së, tentoi dhe ushtroi presion të paparë në terren, tek qytetarët shqiptarë, sidomos tek pjesët ku ata e dinë se janë vatrat tona. Dorë që tërë veprimtarinë tonë na ka ndjekur, survejuar dhe përgjuar… por gjithnjë e kemi mundur.
Ndërsa disa të tjerë, ata që shtirren se kinse na “duartrokasin” për iniciativën e guximin, që mirëpresin një organizim si ky yni me mundësinë për bashkërenditje dhe bashkëpunim – sepse edhe ata, njësoj, po e luftojnë partinë-shtet (BDI-në)…
Për këta që na “duartrokasin”, në këtë rast vlen ajo proverbë popullore me ujkun dhe fshatin që kultivonte dhen.
Kur e kapën më në fund ujkun, desh e mbytën duke e rrahur të gjithë barinjtë. E në atë katrahurë, ujku dalloi kazanxhiun që po i sillte më shumë dhe bërtiti: “Mirë barinjtë, se kopeve ua kam zvogëluar numrin – po ti bre kazanxhi, çka ke?”
Vërtet, ç’patët dhe ç’keni me LA? Menduat dhe mendoni se nuk i shohim goditjet e juaja? Çdo gjurmë e veprim e ndjejmë thellë!
Vërtet, pak e ndalët dhe e ngadalësuat hovin e LA-së, por ajo tashmë ka lindur dhe po rritet çdo ditë në çdo cep të Arbërisë, në diasporë dhe gjithandej ku ka shqiptarë.
Tani më, Ajo është e shqiptarëve.
Aktualisht, LËVIZJA ARBËRIA është fakt. Është organizatë, është frymë, është çështje, është rrugë njëkahëshe, rrugë që do të shpie drejt realizimit të aspiratave shekullore.
Ejani me zemër e me shpirt, se koha e pritjes ka mbaruar!
LËVIZJA ARBËRIA nuk është më vetëm ide, është kthyer në realitetin që na bashkon, në forcën që na ngjall shpresë, në zërin që nuk hesht më.
Ardhmëria nuk ndërtohet në heshtje.
Ejani!
Të bëhemi rreze të së njëjtës dritë, hap i të njëjtës rrugë, besë e të njëjtit qëllim.
Sepse kjo nuk është vetëm një lëvizje, ky është zgjimi i ndërgjegjes shqiptare!
🇦🇱 Bashkangjitu edhe ti –
Për Arbërinë, për të ardhmen, për të vërtetën!