Shkruan: Fejzi Hajdari
Do të kishte qenë shumë normale dhe shumë e nevojshme, si obligim kushtetues që e kanë për kujdesin ndaj shqiptareve jashtë kufirit, sikur presidenti shqiptar Bajram Begaj dhe kryeministri Edi Rama, të interesoheshin për shumë halle e problemt të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Fjala bie, sikur të interesoheshin qoftë edhe vetëm njëherë, për shqiptarët e burgosur të cilët mbahen në burgje si pasojë e proceseve të montuara politike e gjyqësore, si për rastin “Monstra”, “Alfa”, “Sopoti”, “Lagjja e Trimave” etj. Pastaj për statusin diskriminues kushtetues të shqiptarëve, si “popull 20 përqind”, mospërfaqësimin e drejtë dhe adekuat të shqiptarëve edhe pas 24 vjet nga lufta e vitit 2001 etj.
Por, Rama dhe Begaj, si duket po e bëjne te kunderten. Paramendoni, vijnë dhe duan t’i bindin shqiptarët e këtushëm se ata janë faktor “shtetformues”?! E si mund të jetë “shtetformues” një popull i cili në kushtetutë askund nuk i përmendet emri, por në mënyrë ofenduese dhe të papranueshme, figuron si “kategori statistikore” – “popull 20 përqind”!!!
Me këtë Begaj e Rama, sikur duan të na thonë, “rrini rehat, se mirë jeni”! Kaq sa për shtetformësinë sipas kutit të Begajt dhe Ramq, si dhe interesimin e tyre për hallet dhe problemet e shqiptarëve…
Fatkeqësisht, me këtë rast, duhet ta vëmë në spikamë faktin e hidhur se shteti shqiptar deri sot asnjeherë s’u interesua për blerjen e objektit të vogël në qytetin e Manastirit, ku u mbajt Kongresi i Manastirit, i cili është në gjendje të mjerueshme si dhe të Shtëpisë së Nënë Terezes në Shkup, ku çuditërisht sot nuk qëndron asnjë element shqiptar. Ju e dini se sërbët për një kishë të vogël, diku në margjina në Kosovë, janë në gjendje të fillojnë luftë, edhe pse statusin juridiko-politiko-kushtetues sërbët në Kosovë, e kanë 100 herë të garantuar me ligj dhe shumë më të avancuar sesa shqiptarët e Maqedonisë.
Me fjalë tjera, del se Begajt e Ramës, nuk i intereson aq shumë statusi diskriminues i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, por pozita e partisë së Ali Ahmetit, pak para zgjedhjeve lokale. Rama kështu veproi edhe me “deklaratën e Tiranës” të vitit 2017, kur pothuajse Ali Ahmetin e nxorri nga dështimi spektakolar pas gjithë atyre dështimeve të atëhershme… Pra, mbështetja e Ramës për Ahmetin po vazhdon edhe tash, por tani nëpërmjet presidentit shqiptar dhe ambasadorit shqiptar në Shkup Denion Mejdani!
Si të kuptohet parakalimi i Edi Rama nëpër Çarshinë e Vjetër në Shkup, së bashku me ithtarë të BDI-së dhe me Bujar Osmanin, si kandidat potencial për komunën e Çairit në Shkup në zgjedhjet local. Ose cili është qëllimi i dy vizitave të presidentit Begaj, në një afat relativisht kohor në Shkup, dhe takimi vetëm me Ali Ahmetin? Apo edhe aktivizimi pak a shumë i ngjashëm i ambasadorit shqiptar në Shkup Denion Mejdani, me takimet “spontane” me Ali Ahmetin.
Presidenti shqiptar në këtë mënyrë po sillet sikur të jetë lider partie në Tiranë, sepse minimum do të duhej t’i takonte të gjithë krerët e partive shqiptare dhe sidomos përfaqësuesit e lartë të qeverisë, për shkak se përfaqëson institucionin e presidentit dhe jo partinë e caktuar politike. Dhe në vend që të sillej si unifikues i shqiptarëve, ai e bënë të kundërtën. Më bëri shumë përshtypje një koment në rrjetet sociale: Sa kushton një selfie president Begaj? Edhe unë doja ta pyesja publikisht!
Në këtë mënyrë po krijohet përshtypja sikur krerët shtetërorë të Shqipërisë me takimet e njëanshme me Ali Ahmetin, dhe aty-këtu ndonjë përfaqësues tjetër të partive opozitare, më shumë po I fryejnë përcarjes së shqiptarëve, sesa po kryejnë obligimet kushtetuese të tyre – për t’i ndihmuar të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë shtetit shqiptarë. Mënyra se si po sillet, njeriu i parë dhe i dytë të shtetit shqiptarë, përfundimisht po i ndihmojnë ndasisë së shqiptarëve.
Eksperienca nga e kaluara tregon se, Tirana zyrtare edhe në të kaluarën ka bërë flirte të këtij lloji me pasoja katastrofike. Ka qenë vitit 1993/94, kur ish-presidenti i atëhershëm shqiptarë Sali Berisha, me ndërhyrje arbitrare ndikoi direkt në përcarjen e atëhershme të partisë më të fuqishme shqiptare – Paqrtisë për Prosperitet Demokratik (PPD).
Tiranë por edhe një pjesë e medias dhe politikës kosovare, poashtu ndikuan negativisht duke përcarë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, gjatë pjesëmarrjes në aktin solemn në parlament të inaugurimit të Talat Xhaferit për kryeministër Teknik me mandat 3 mujor.
Pra, mënyra selektive e mbështetjes së vetëm partive të caktuara shqiptare në Maqedoni, por edhe në Kosovë, po hapë dilema shumë të mëdha ndër shqiptarët: Nëse kryeministri dhe presidenti shqiptar, duan megjithë mend t’i ndihmojnë apo përcajnë shqiptarët?