“Serbia po na pengon, Maqedonia nuk po na ndihmon”: Punëtorët sezonalë nuk po mund të kthehen në vendet e BE-së!

Qindra qytetarë të Maqedonisë nuk po mund të kthehen në vendet e tyre të punës në vendet e Evropës Perëndimore, për shkak se Serbia ende nuk lejon asnjë formë të kalimit transit nëpër territorin e saj.
Një ndër ta është edhe Armin Ebibi, nga Negotina e Gostivarit, i cili posedon biznes të vetin në Hungari. Ai ka siguruar të gjitha lejet nga shteti hungarez që të kthehet dhe të hapë lokalet që i posedon atje, por është kthyer në kufirin e Tabanocit nga policia serbe. Aty ka filluar maltretimi dhe sorollatja pa rezultat nëpër institucione.

“Për të hy në Bashkimin Evropian nevojitet edhe leje qëndrimi edhe një leje e posaçme për të hy në Hungari. Shteti hungarez na e ka siguruar këtë, pasi kemi dërguar vërtetime që kemi biznes atje, na kanë dërguar online lejen pa asnjë problem. Pasi e mora këtë leje, duke menduar se kjo leje do të më shërbej për transit në Serbi, u nisa deri në Tabanoc.
Mirëpo policia serbe më tha se duhet të posedoj një leje të posaçme për të kaluar nëpër Serbi. E pyeta se ku mund ta marr atë leje, më than ë ambasadë të Serbisë në Shkup.
U drejtova te ambasada e Serbisë, u tregova që posedoj të gjitha dokumentet e nevojshme të udhëtoj në Hungari.
Në mënyrë vullgare mu përgjigjën se nuk merrem me qytetarët e Maqedonisë por vetëm të Serbisë. E pyetja se ku të drejtohem, më thanë të drejtohem në ambasadën e Maqedonisë në Beograd. I kontaktova online dhe përmes e mailit më kthyen përgjigje se nuk janë kompetent për këtë leje”, rrëfen Armini.

Ebibi thotë se ai nuk është i vetmi që përballet me këtë problem, por ka edhe qindra, ndoshta mijëra qytetarë tjerë në Maqedoninë e Veriut, të cilët gjatë dimrit vijnë në vendlindje, kurse në pranverë kthehen në vendet e punës. Kritikon Ministrinë e jashtme që nuk ka marë asnjë hap për të gjetur zgjidhje, siç kanë bë vendet tjera për qytetarët e tyre.

“Telefonova në Ministrinë e Punëve të Jashtme por me arrogancë mu drejtuan se një herë kërkonit të riatdhesoheni, tani dëshironi të ktheheni prapë. Shteti i Maqedonisë nuk ka bë asnjë hap se si të kthehen njerëzit, sepse ne kërkuam të riatdhesohemi, por tani është koha e punës. Si shembull Hungaria ka bë marrëveshje me Serbinë dhe Kroacinë që qytetarët e tyre që kanë nevojë të lëvizin të hyjnë dhe të dalin pa problem”, thekson Ebibi për Gazetën Lajm.

Nga Ministria e punëve të jashtme e Maqedonisë së veriut konfirmojnë se kjo është gjendja faktike dhe se për momentin nuk ka asnjë ndryshim.

“Kjo është gjendja faktike. Kur do të ketë ndonjë ndryshim, do të ju informojmë edhe juve si mediume edhe qytetarët. Për fat të keq ne nuk mund të ndikojmë te vendimet e vendeve të huaja”, deklaroi për Gazetën Lajm zëdhënësja e MPJ-së, Elena Presilska.
Ajo nuk beson se dikush prej MPJ-së është sjellë në mënyrë arrogante me qytetarët që paraqiten dhe kërkojnë ndihmë, edhe përkundër insistimit të Ebibit se ka përjetuar një sjellje të tillë.
“Nuk besoj, me të vërtetë nuk besoj se ka ndodhur diçka e tillë”, theksoi Presillski.

Ebibbi është i dëshpëruar edhe nga sjellja e qeveritarëve shqiptarë dhe partive politike, që nuk po tregojnë interes për të ndihmuar mërgimtarët tanë që të mos humbin bizneset dhe vendet e punës.
“Mungesa e ngritjes së qeveritarëve dhe partive shqiptare, ka bë që ne me qindra të mbetemi këtu dhe të na rrezikohen vendet e punës.
Kemi marë iniciativë, u kemi shkruar e maile ministrave, u kemi shkruar përmes facebookut, por nuk asnjë përgjigje.
Një deputeti hungarez në Serbi i kam shkruar ora 5 të mëngjesit se si ta tejkaloj këtë problem, dhe në ora 5 të mëngjesit më ka kthyer përgjigje, duke treguar gatshmëri të më ndihmojë në kuadër të mundësive të veta. I tregova se jam shqiptar dhe tregoi interes maksimal për të më ndihmuar. Kurse qeveritarët tanë të gjithë në gjumë, e kur vjen koha e votave sytë i kanë kah diaspora dhe kërkojnë mobilizim t’i votojmë për interesat e tyre.
Nuk dua të akuzoj asnjë parti konkrete, por spektrin politik shqiptar, sepse është dashur të interesohen që të zgjidhet ky problem, që tangon kryesisht shqiptarët”.
Pasi kanë dështuar të gjitha mundësitë që të kthehet në Hungari, e vetmja shpresë për Ebibin tani është 1 qershori kur Serbia ka paralajmëruar se do t’i hapë kufijtë edhe pse në MPJ-në maqedonase thonë se ende nuk kanë marë përgjigje zyrtare se në këtë datë do të hapen kufijtë.
“Duke pasur parasysh se kur të kthehemi atje duhet të qëndrojmë në karantinë 14 ditore, kjo do të thotë se sezoni sivjet ka dështuar, kurse humbjet janë edhe më të mëdha sepse ne paguajmë qira për lokalet dhe për banesat”, shprehet Armin Ebibi i dëshëpruar.