2 milion euro në llogari të Ministrisë së Shëndetësisë dhe 310 mijë euro në llogari të Qeverisë – këto janë donacionet e mbledhura deri më tani në dy fondet e solidaritetit në luftën kundër Kovid-19.
Ministria e Shëndetësisë thotë se shumica e parave janë dhuruar nga persona juridikë, dhe shumë pak nga persona fizik. Nga 2 milion euro, vetëm rreth 15,000 euro u dhuruan nga individë. 184 mijë euro janë shpenzuar për nevojat e spitalit mobil. Por, përveç parave, u dhuruan edhe pajisje në vlerë prej 950 mijë euro.
Fondi solidar, Ministria e Shëndetësisë
Para të dhuruara si donacion 2 milionë euro
Momentalisht në llogari 1,8 milionë euro
Të shpenzuara 184 mijë euro
Donacion për pajisje 950 mijë euro
Në fondin tjetër ku paratë drejtpërdrejtë derdhen në llogarinë e thesarit të Qeverisë, deri tani janë mbledhur 310 mijë euro. Ndonëse kompetentët thonë se për shkak të mbrojtjes së të dhënave personale nuk i publikojnë emrat e donatorëve, megjithatë sipas fletëpagesave të publikuara në rrjetet sociale në këtë llogari më së shumti kanë dhuruar funksionarët e Qeverisë.
Fondi solidarë –kovid 19 i Qeverisë
“Donacione nga persona juridik dhe fizik- 310 mijë euro”.
Asnjë institucion nuk jep informata të sakta cili funksionar sa ka dhuruar dhe në cilën llogari. Alsat pyeti nëse dhe sa nga deputetët kanë vendosur të dhurojnë. Nga VMRO DPMNE thonë që është arritur marrëveshje të gjithë deputetët të dhurojnë një pjesë të rrogës së tyre dhe së shpejti do ta njoftojnë opinionin sa është donacioni dhe në cilën llogari do të paguajnë. Nga LSDM thonë që të gjithë deputetët tashmë e kanë dhuruar pjesën e mbetur të pagës minimale në fondin solidar të Qeverisë. Deri në këtë moment, nuk kemi përgjigje nga koordinatori i grupit të deputetëve të BDI sa dhe nëse deputetët të tyre kanë dhuruar.
Lidhur me atë se ku do të përdoren paratë nga Qeveria, thonë se do të përdoren për masat e miratuara, por pa specifikuar sa para për cilën masë. Ministria e Shëndetësisë thotë se së shpejti publiku do të njoftohet se si do të shfrytëzohen paratë nga fondi i solidaritetit.