Nga “Evropian” në “Kombëtar”, në kërkim të legjitimitetit etnik

Shkruan: Florian Nesimi

Kohëve të fundit dëgjojmë nga përfaqësues të opozitës shqiptare që në vend të emrit të koalicionit “Fronti Evropian” e përdorin emrin “Fronti Kombëtar”. Kështu ata po japin sinjalin se në të ardhmen nuk do të llogarisin në turqit, romët dhe boshnjakët me të cilët ishin në koalicion parazgjedhor vitin e kaluar.

Derisa në vazhdimësi kam potencuar se një koalicion multietnik nuk mund të kërkojë legjitimitet etnik, duket se ribrendimi i fundit i emrit të “Frontit Evropian” në “Front Kombëtar” po e dëshmon pikërisht këtë qëndrim.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2024, BDI bashkoi rreth vetes parti të komuniteteve turke, rome e boshnjake. Ishte një koalicion multietnik i cili sapo përfunduan zgjedhjet filloi të kërkonte legjitimitetin etnik shqiptar, duke thënë se kishte fituar shumicën te shqiptarët, edhe pse përbërja e koalicionit nuk ishte vetëm shqiptare. Kërkonin legjitimitetin sikur të ishin një subjekt i pastër etnik, ndërkohë e përdorën multietniciteti për të fituar sa më shumë vota.

Sot, një vit më vonë, koalicioni ribrendohet si “Front Kombëtar”. Me këtë hap, ata indirekt pranojnë se formimi i koalicionit multietnik për të kërkuar legjitimitet etnik ka qenë një gabim trashanik politik. Ata kështu pohojnë se nuk kanë pasur të drejtë kur, duke qenë një strukturë e përzier etnike, pretendonin të përfaqësonin legjitimitetin shqiptar.

Por tani parashtrohet edhe pyetja se çfarë po ndodh me subjektet turke, rome e boshnjake dhe a u përjashtuan  nga “Fronti” pasi nuk janë të dobishëm në agjendën e tyre të re politike? A u shfrytëzuan vetëm për një përdorim, sa për të marë më shumë vota e VLEN-i? A nuk janë të mirëseardhura në të ardhmen dhe a u harruan sapo u mbyllën kutitë e votimit?

Ky ribrendim i fundit flet qartë për dobësinë politike të opozitës shqiptare, e cila duke mos patur vizion të qartë për të ardhmen, detyrohet vazhdimisht të ndryshojë emrin dhe flamurin. E partitë të cilat ndërtojnë strategji vetëm për momentin e caktuar politik e jo mbi parimet, duket se në realitet ndërtojnë strategji vetëm për zgjatje të karrierave politike të eksponentëve të caktuar.