Myftinia e Kërçovës me rastin e hapjes së paralajmëruar të xhamive nesër informon se ata i kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për ta mbrojtur shëndetin e njerëzve dhe për ta parandaluar
përhapjen e Kovid-19.
Qamil Rushiti, sekretar i Myftinisë në Kërçovë, theksoi se para hapjes së nesërme të gjitha xhamitë janë dezinfektuar disa herë dhe janë marrë disa masa për mbrojtje. “Para hapjes së xhamive nesër, ne i kemi marrë të gjitha masat e nevojshme: xhamitë janë dezinfektuar, mbajtja e maskave është e detyrueshme, pastrimi i duarve me dezinfektues para hyrjes së xhamive ose mbajtja e dorezave.
Gjithashtu, çdo besimtar duhet të ketë sexhade personale me të. Sa më shumë që të jetë e mundur të përdoren oborret e xhamive për lutje, të mbahet distanca fizike sa më shumë që të jetë e mundur. Ndalohet mbledhja në grupe para ose pas namazit në xhami, ligjëratat fetare nuk duhet të jenë më të gjata se 10 minuta, abdesi (larja e duarve, këmbëve dhe fytyrës) duhet
të kryhet në shtëpi, hapësira për abdes do të jetë e mbyllur, maksimalisht të shmangen përshëndetjet me kontakte fizike”, shpjegoi Rushiti./MIA
Maqedoni Myftinia e Kërçovës paralajmëroi hapje të xhamive, masa mbrojtëse gjatë riteve fetare