Heroizmi i Eugen Krujës të “Shkëndijës” që sot s’e përmend askush

Shkruan: Prof.Florian Nesimi

Më 14 mars 2001 në Shkup luanin Vardari dhe Shkëndija. Ishte dita kur në Tetovë filloi konflikti i vitit 2001. Unë si student që isha në Shkup dhe si tifoz i Shkëndijës, bashkë me një shokun tim u nisëm drejt stadiumit për të parë ndeshjen. Neve bashkë me nja 10-15 tifozë tjerë të Shkëndijës na futën në një skaj të stadiumit ku u rrethuam nga kompania e sigurimit Kometa. Posa përfundoi pjesa e parë aty na erdhën dhe na sulmuan tifozët e Vardarit. Personat e sigurimit i nxorrën pistoletat dhe na urdhëruan të ulemi, dhe bashkë me komitët na rrihnin edhe ata.

Në një moment bashkë me shokun tim e gjetëm një korridor për të ikur, kërcyem poshtë në stadium dhe nëpër fushën e gjelbër u futëm te zhveshtorja e Shkëndijës. Asokohe te Shkëndija luante një mbrojtës nga Shqipëria me emrin Eugen Kruja i cili në momentin e fundit na erdhi në ndihmë duke u përleshur fizikisht me disa komitë para zhveshtores. Heroizmin e tij e kam parë vet, por fatkeqësisht Eugen Krujën sot askush nga klubi nuk e përmend.

Unë me shokun tim mbetëm të ngujuar në zhveshtore deri në orët e vona të mbrëmjes pasi parku para stadiumit ishte i mbushur me tifozë të egërsuar. Pas shumë orësh nga stadiumi na nxorri trajneri Zoran Smilevski i cili me veturën e tij Jugo të bardhë na dërgoi deri te Ura e Gurit.