Shkruan: Fitim Nuhiu
25.12.2024
Ish kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, humbi fare nga faqja e dheut. Nuk është askund. Votuesit e tij janë të hutuar, sepse nuk e kanë idenë se ku mund ta kërkojnë. Si mund të shpjegohet një zhdukje e tillë pa nam e nishan. Asnjë lloj shpjegimi e arsyetimi s’mund të japë arsyeja e shëndoshë. Ai ashtu siç erdhi, i katapultuar (outsider), ashtu edhe iku. Mbase kot populli nuk thotë: “E huaja, s’të bëhet dot e jotja’.
Në një shkrim timin, të para tre viteve, të titulluar: “Dritëhijet e figurës së Shqiprim Arifit” (30.05.2022), kam elaboruar fenomenin e tij dhe të njerëzve që i kishte përreth. Në njëfarë forme e pata përshëndetur guximin e tij dhe frymën rinore që solli me vete. Disi sikur na ktheu shpresën, por si duket ishte afatshkurtër dhe false. Megjithatë, ai atëbotë arriti të bëjë rotacionin politik, bëri një tollovi të këndshme, solli një frymë interesante debati, por edhe një kaos e anarki politike. Por, ja që rotacioni u rikthye mbrapsht, duke i sjellë sërish, me disa përjashtime, figurat e vjetra politike.
Gjykoj se ish kryetari, tashmë i humbur, Shqiprim Arifi, duhet të dalë publikisht dhe si burrë që është mbajtur, të kërkojë falje për mashtrimet që ia bëri qytetarëve të Preshevës, gjegjësisht të dalë të paktën para votuesve të vet e t’u thotë se ato premtime kanë qenë vetëm një fushatë humoristike dhe një ‘eksperiment zocial’ se deri ku mund të arrij besimi i votuesve karshi një politikani, të cilin fare nuk e kanë njohur. Nëse nuk del të kërkojë falje publike, të paktën t’i justifikojë veprimet dhe mashtrimet e tij se çfarë qëllimesh pati me qytetarët preshevarë që i besuan dhe ia dhanë votën kaq masivisht, si shpresë të tyre të vetme asokohe.
Ai, duke shfrytëzuar dhe ekspozuar lavdishëm formimin e tij “evropian”, prapaskenën e tij shumë të dyshimtë, që arrinte të artikulojë njëfarë filozofie politike, thoshte diçka mes rreshtash gjatë fjalimeve të tij të çala (ata që e dëgjonin vëmendshëm mund të kuptonin këtë që po e them), shfrytëzoi formimin e tij fetar (edhe pse formim i gjymtë fetar), sa që arriti t’i mashtrojë shumë besimtarë myslimanë kur e shihnin atë duke frekuentuar xhaminë, duke çarë radhët e besimtarëve që të del në “sajfin” e parë e ta shohin njerëzit sa më shumë fetarinë e tij publike, e të bëhet më bindës, gjë që ata besimtarë kurrë më parë nuk ishin mësuar të shihnin politikanë të bënin një gjë të tillë.
Kartën e fesë e përdori në mënyrë transparente, madje me të mburreshin edhe disa imamë të njohur ndër shqiptarë që kanë ithtarë të shumtë pas vetes, si Ahmed Kalaja dhe të tjerë. Ata sikur filluan ta postonin, duke pasur pritshmëri nga ai si një ‘Erdogan i ri’ në vendin tonë, një mesia, një besimtar politikan dhe shëmbëlltyrë e mirë, gjithnjë i shoqëruar me gruan e tij me mbulesë, një format ky bindës, gjë që edhe funksionoi, ndaj dhe arriti që të merr një shumicë votash nga shumë besimtarë të painformuar.
Duhet theksuar se personi në fjalë shfrytëzoi edhe momentumin politik të brishtë. Preshevarët u duk sikur u lodhën nga partitë e vjetra të asaj kohe dhe menduan: “të shohim nëse do fluturojë kali apo lopa me këtë ‘profet’ të ri”.
Shtrohet pyetja: po votuesi i tij si ndjehet ai /ajo sot? A ndjehet i braktisur nga lideri i vet që i besonte me aq shumë zell, apo ndjehet thjesht i zhgënjyer, i lënë në harresë, apo i zgjuar nga një ëndërr e bukur vere, duke pohuar: “s’ma ka marrë mendja se na bën këtë gjë ai besimtar i devotshëm”. A e ka ditur Shqiprim Arifi se besimi lidhet me besën e dhënë (kupto: votën të kanë besuar ata votues)?
Përmes këtij shkrimi, e ftojmë ish kryetarin e komunës së Preshevës që të bëhet i gjallë dhe si besimtar i devotshëm që është paraqitur, të prononcohet para qytetarëve të Preshevës: pse mashtroi kaq hapur, pse i braktisi anëtarët e partisë së vet, duke i lënë si ata të hutuarit në mjegull. Botërisht dihet se besimi lidhet me besën, e vota është besatimi më i madh që mund të ketë qytetari me përfaqësuesin e vet. Le të shpjegojë se pse me ikje përfundoi karriera e tij e shkurtër dhe e pazakontë politike. Akoma askush nuk e di nëse është i gjallë apo i vdekur?!?