Dëbimi i Ismet Ramadanit nga Kanal5, akrobacion i rrezikshëm mediatik!

Shkruan: Naser Pajaziti

Televizioni Kanal5 vazhdon t’i fryejë tezave të padurueshmërisë dhe proklamatave me doza të nxitjes së nacionalizmit, e që rrëshqasin në albanofobi të tmerrshme.

Dëbimi i politikanit të urtë veteran Ismet Ramadani (edhe nëse na qenka këshilltar i kryeministrit) nga studioja e debatit nga drejtori i këtij televizioni Mirçevski tregon në të vërtetë fytyrën e vërtetë të kësaj medie që nuk duron opinionin e lirë, çfarëdo qoftë ai.

Para një muaji po në këtë televizion u publikua një lajm tendencioz dhe albanofob me titull “Burri nervoz nga Haraçina goditi me thikë dy banorë të Aerodromit dhe tentoi të godiste me makinë një grup njerëzish!”. I njejti lajm u shpërnda në faqen e facebookut të këtij televizioni, me komentin si mbititull: Sërish “albanofobi” dhe tani nga Prokuroria Themelore Publike!”. Ky lajm ishte kulmi i një akrobacioni të rrezikshëm mediatik.

Por, në rastin e Ismet Ramadanit, që njihet një politikan shumë i urtë dhe me teza të forta integrimi dhe bashkëjetese është e qartë se kemi të bëjmë me një padurueshmëri dhe gjuhë e ashpër të kësaj medie, që nxit jotolerancë dhe diskriminim.

Drejtori i këtij televizioni në kyçjen e papritur live në emision shton dyshimin për një skenar të parapërgatitur për linçim publik dhe dëbim nga studioja, me tendenca përfitimi në temat e ndjeshme me prefiks etnik. Ai nga padurueshmëria rrëshqiti duke thënë se për të të gjithë që jetojnë në Maqedoni janë maqedon, e çka tjetër nuk i shpëtoi nga goja, duke shitur dokrra…

Por, kësaj ti shtojmë edhe komentet e nxitura në faqet e rrjeteve sociale të këtij televizioni përplotë mllef dhe urrejtje brutale albanofobe.

Nëse edhe media rrëshqet dhe i hyn aventurave sikur politika në prag të zgjedhjeve, atëherë tifozllëku është vështirë të kontrollohet dhe i bën dëm kësaj shoqërie dhe këtij vendi që thirret në multietnicitet.