Integrimi në BE tani është qëllimi ynë i përbashkët, ndërsa për Republikën e Maqedonisë së Veriut tashmë
është absolvuar anëtarësimi në NATO, prandaj edhe nga ky pozicion mbështesim anëtarësimin e Kosovës në
Aleancë, tha kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane (KÇE) Arbër Ademi, në takimin e sotëm me
Delegacionin e Komisionit për Politikë të Jashtme dhe Diasporë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të
udhëhequr nga kryetarja e këtij trupi të punës, Arbëresha Kryeziu – Hyseni.
Në takimin me deputetët e Kosovës në Kuvendin e RMV-së, ku morën pjesë edhe anëtarët e tjerë të KÇE-së,
Ademi theksoi se Maqedonia e Veriut e mbështet anëtarësimin e Kosovës edhe në organizatat e tjera
ndërkombëtare në të cilat vendi ynë tashmë është anëtar, sepse, siç tha, ne jemi pjesë e Evropës.
Deputetja e Kosovës, Kryeziu – Hyseni, në fjalën e saj theksoi se Kosova për momentin është në një situatë
specifike, përkatësisht në një lloj udhëkryqi politik, por që përveç kësaj, shoqëria duhet të orientohet edhe
në çështjet e tjera që janë në interes të shtetit.
Kryeziu – Hyseni tha se pret mbështetje nga RMV-ja në procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO. Besoj,
tha ajo, se do t'ju ndjekim në rrugën drejt BE-së, si dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare ku tashmë jeni
anëtarë.
Deputeti Halil Snopçe tha se Maqedonia e Veriut dhe Kosova si shtete janë në pozicione të ndryshme, por
nga ana tjetër, të ngjashme në procesin integrues, veçanërisht nga aspekti i marrëdhënieve me disa nga
vendet fqinje.
Deputetja nga Kosova, Time Kadrija vuri në dukje se përkundër sfidave me të cilat përballen të dyja vendet
në rrugën integruese, Maqedonia e Veriut është në pozitë më të favorshme për shkak të anëtarësimit në
NATO.
Bahrim Shabani, si përfaqësues i boshnjakëve në Kuvendin e Kosovës, theksoi se komunitetet joshumicë atje
i mbështesin institucionet e Kosovës dhe janë të integruara në sistem nga të gjitha aspektet.
Në këtë kontekst, deputetja Sanella Shkriel vlerësoi se edhe përvoja e RMV-së dëshmon se përfshirja e
komuniteteve më të vogla është me rëndësi të veçantë për zhvillimin e proceseve demokratike dhe për
relaksimin e marrëdhënieve ndëretnike. Avancimi i të drejtave të të gjitha komuniteteve, tha ajo, në fakt
është një nga segmentet thelbësore të procesit interaktiv.