Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE edhe pse po kundërshton ndryshimet kushtetuese, ajo ka theksuar se do të marrë pjesë në debatin parlamentar.
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi për më 25 korrik ka caktuar debatin për ndryshimet kushtetuese të Komisionit parlamentar për çështje kushtetuese.
“Deputetët do të marrin pjesë në debat, ku do të shprehin qartë argumentet kundër ndryshimeve kushtetuese dhe së shpejti do të bëhet e qartë se qeveria nuk ka shumicë për ta”, theksuan nga VMRO-DPMNE.
Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, ditë më parë tha se do të konsultohet me grupin parlamentar për mënyrën e funksionimit të deputetëve të VMRO-së në Komision dhe seancë.
I vetmi konsensus që mund të arrihet me qeverinë dhe kryeministrin Dimitar Kovaçevski, tha ai, është data e zgjedhjeve.
Iniciativa për ndryshimin e Kushtetutës të mërkurën arriti në Kuvend, ndërsa kryeparlamentari Talat Xhaferi e caktoi seancën e Komisionit kushtetues për më 25 korrik, ndërsa seancën plenare kryeparlamentari Talat Xhaferri e ka caktuar për më 18 gusht.(INA)