Takimi i radhës për ndryshimet në Kodin Zgjedhor nuk solli marrëveshje të re. Partitë politike mbetën në qëndrimet e tyre, ndërsa LSDM-ja sërish nuk mori pjesë në tryezën e grupit të punës.
Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, tha se synimi është t’i jepet një mundësi e re procesit dhe paralajmëroi kontakt me kryetarin e LSDM-së, Venko Filipçe, me shpresën që opozita socialdemokrate të marrë pjesë në takimin e ardhshëm.
Një nga pikat kryesore të përplasjes mbetet votimi i diasporës. VMRO-DPMNE këmbëngul që qytetarëve jashtë vendit t’u mundësohet votimi, qoftë elektronikisht apo përmes postës.
BDI shprehet në favor të një njësie zgjedhore, por kjo ide nuk ka marrë ende mbështetjen e nevojshme nga partitë e tjera.
Ndërkohë, Levica kërkon ndryshime në mënyrën e shpërndarjes së financimit të fushatave zgjedhore.
Nga ZNAM presin që Kodi i ri Zgjedhor të miratohet deri më 31 dhjetor, në prag të vlerësimit të radhës të vendit nga BE-ja për agjendën reformuese.
LSDM-ja, në qëndrimin e saj të mëparshëm, kundërshton votimin elektronik dhe atë përmes postës për diasporën.
Pra, tryeza u mblodh sërish, por kompromisi mbeti jashtë salle.



