Misioni i OBSE/ODIHR e ka njoftuar edhe zyrtarisht Maqedoninë e Veriut se për shkak të situatës me Koronavirusin, misioni i saj nuk do të jetë në gjendje të monitorojë zgjedhjet e 12 prillit në Maqedoni, deklaroi presidenti Stevo Pendarovski. “Misioni monitorues i OSBE/ODIHR sot me shkresë zyrtare na njoftoi që e anulon monitorimin e zgjedhjeve dhe brenda dy-tre ditëve edhe fizikisht do të tërhiqet nga Maqedonia”, deklaroi Pendarovski më 16 mars (nga minuta 9 deri në minutën 10 në videon më poshtë). Ai e ka përmendur këtë si fakt në favor të qëndrimit se zgjedhjet duhet të prolongohen. Edhe partitë politike që morën pjesë në takimin te presidenti Pendarovski, përkrahën unanimisht gjetjen e mundësisë juridiko-kushtetuese për anulim të zgjedhjeve. Mirëpo, burime diplomatike thonë se papritmas, pasi OSBE/ODIHR ka njoftuar se nuk mund t’i monitorojë zgjedhjet, te disa parti politike të njohura në opinion “si hajdute të votave” janë shtuar apetitet që zgjedhjet të mbahen patjetër më 12 prill.
Sipas këtyre burimeve, bëhet fjalë për parti anëtarë të së cilave dyshohen nga prokuroria dhe gjykatat për manipulime zgjedhore dhe që u ka rënë rejtingu dhe vjedhjen e votave e shohin si të vetmen mundësi.
“Mendojmë se këto parti kanë për qëllim të shfrytëzojnë mungesën e monitoruesve të OSBE-së në njërën anë, dhe panikun e qytetarëve nga koronavirusi në anën tjetër, për të mbushur kutitë dhe për të vjedhur vota. Për këtë arsye insistojnë që zgjedhjet medoemos të mbahen më 12 prill edhe pse më herët fitoren kundër koronavirusit e kishin më të rëndësishme se fitoren në zgjedhje”, theksojnë burimet tona, duke mos përmendur emrat e partive, sepse siç thuhet, ato janë të njohura për opinionin.
Për momentin kreu shtetëror është unanim se zgjedhjet duhet prolonguar, me përjashtim të kryeparlamentarit Talat Xhaferi, i cili vlerëson se është vështirë të gjendet modalitet juridik për prolongimin e tyre.
Maqedoni OBSE zyrtarisht njoftoi se nuk mund t’i monitorojë zgjedhjet e 12 prillit...