Konfirmohet arrestimi i kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi

Policia e Kosovës ka arrestuar sot kryeshefin e Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqin.

Krasniqi është arrestuar si i dyshuar për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” , “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”.

Lajmin e ka konfirmuar Prokuroria Speciale e Kosovës përmes një komunikate të dërguar për media, njofton Klan Kosova.

“Po ashtu, njësia e veçantë e hetimeve sot ka bastisur zyrën e të pandehurit Nagip Krasniqi në Prishtinë, dy banesa në lokacione të ndara në Prishtinë, në pronësi dhe të shfrytëzuara nga i njëjti, me qëllim gjetjen e dëshmive të cilat kanë të bëjnë me veprat penale të lartcekura”.

“Gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre kompjuterë, një llap-top, një celular, një USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme”.

Me aktvendim të prokurorit të shtetit, personi në fjalë është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh.​