Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe Australia kanë zbuluar detaje të planit të tyre për të krijuar një flotë të re nëndetësesh me energji bërthamore, që synon të kundërshtojë ndikimin e Kinës në rajonin Indo-Paqësor.
Sipas paktit Aukus, Australia do të marrë nëndetëset e saj të para me energji bërthamore – të paktën tre – nga ShBA-ja, shkruan BBC.
Aleatët do të punojnë gjithashtu për të krijuar një flotë të re duke përdorur teknologjinë më të avancuar, duke përfshirë reaktorët Rolls-Royce të prodhuar në Mbretërinë e Bashkuar.
Pekini tha se marrëveshja e madhe detare “dëmton paqen dhe stabilitetin”.
Misioni i Kinës në OKB akuzoi gjithashtu aleatët perëndimorë për frenim të përpjekjeve për mospërhapjen bërthamore.
Por presidenti amerikan Joe Biden tha se marrëveshja kishte për qëllim forcimin e paqes në rajon dhe theksoi se nëndetëset do të jenë “me energji bërthamore, jo të armatosura bërthamore”.