Marrëveshja finale Kosovë-Serbi s’pritet të arrihet as vitin tjetër, thonë njohësit e çështjeve politike

Marrëdhëniet politike mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të jenë të njejta dhe përkundër angazhimit të vendve evropiane dhe SHBA-së për ti dhënë një fund dialogimit të dy vendeve.

Njohës të çështjeve politike në vend thonë se nuk presin marrëveshje të shpejtë, madje as vitin tjetër.

Sipas tyre, Qeveria duhet konsultuar për këtë çështje me partitë opozitare në mënyrë që të mos të ketë telashe për çfarëdo lloj propozimi final për çështjen e dialogut.

Ish-këshilltari i ish-ministres për Dialog, Edita Tahiri, Gazmir Raci në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se për Kosovën e rëndësishme është që në shtyrjen e këtij procesi përpara po merr pjesë edhe ShBA-ja, transmeton Klankosova.tv

Sipas tij, Kosova me ndihmën e ShBA-së dhe dy fuqive evropiane, Gjermanisë dhe Francës do ta përmbyll një proces që është shumë i ndjeshëm për shkak të rrethanave gjeopolitike.

“Për shkak të rëndësisë së madhe unë nuk pres marrëveshje të shpejt në takimin e radhës. Por pres që qëndrimet në mes dy delegacioneve të përafrohen edhe më shumë edhe pse qëndrimin e Serbisë tashmë e dimë publikisht. Ata janë shprehur kundër propozimit gjermano-francez. Për neve është me rëndësi që në këtë propozim të ri që janë edhe ShBA dhe se ndihma amerikane është qenësore për fazën finale”, thotë ai.

Sipas Racit, për çështjen Kosovë-Serbi, Qeveria duhet të konsultohet edhe me partitë opozitare.

“Unë pres së që Qeveria dhe kryeministri duhet të hapë debat edhe më të gjerë politik. Duhet konsultuar edhe faktori opozitar në Kuvendin e Kosovës në mënyrë që të mos kemi telashe të tjera për çfarëdo lloj propozimi final për çështjen e dialogut”, përfundoi Raci.

Në anën tjetër analisti politik, Shqiprim Pula thotë se edhe në të kaluarën Kosova ka pasur disa non- paper që në përmbajtje kishte ide dhe propozime për t’i dhënë zgjidhje të statusit Kosovë-Serbi.

“Edhe në të kaluarën kemi pasur disa të quajtura non papers që në përmbajtjen e tyre kishte ide dhe propozime për t’i dhënë zgjidhje çështjes së statusit Kosovë Serbi. Por natyrisht që duhet pasur kujdes dhe në këtë rast Qeveria po tregon kujdes për sa i takon përmbajtjes dhe autorësisë. Ne akoma e kemi të paraqitur kush janë autorët e këtij propozimi dhe është e thjesht të thuhet një dokument apo një propozim franko-gjerman, por nuk duhet harruar që as Franca dhe as Gjermania nuk e kanë deklaruar publikisht autorësinë mbi këtë dokument”, tha Pula.

Sipas tij, nga deklaratat që po vijnë nga zyrtarët shtetëror serb duket se nuk do të ketë arritje të qëllimit përfundimtar këtë vit dhe as vitin tjetër.

“Nga deklarimet publike nga zyrtare shtetëror serb duket se nuk do të ketë arritje të një qëllimi përfundimtar këtë vit. Por edhe viti i ardhshëm mund të jetë poashtu një vit që mund të jetë i përafrimit por jo edhe i një përmbyllje përfundimtare sepse të gjitha kërkesat e shtetit fqinjë, pretendimet e tyre madje edhe deklarimet publike karshi komunitetit serb në Kosovë e komplikojnë situatën”, përfundon ai.

Ndërkaq, gjatë ditës së sotme në takim me Presidentin nga Malta, George Vella, Osmani ka thënë se njohja reciproke me Serbinë është e vetmja zgjidhje e cila sjell paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajon.