Bashkësia ndërkombëtare vlerëson përpjekjet kundër korona virusit

Më 18 shkurt, presidenti Xi Jinping zhvilloi biseda të veçanta telefonike me homologun e vet francez Emmanuel Macron dhe kryeministrin britanik Boris Johnson. Liderët e dy vendeve shprehën vlerësim dhe përdorën fjalën “admirim” për të vlerësuar masat e forta e të shpejta, transparencën e informacionit dhe efektivitetin e punës së palës kineze. Ndërsa, kreu i shtetit i Kinës në bisedë telefonike dërgoi tre sinjale të qarta, që janë: “Situata po ecë drejt prirjes pozitive dhe masat parandaluese e të kontrollit po arrijnë përparim të dukshëm”, “Kina ka besim dhe është në gjendje të realizojë objektivin e përcaktuar për zhvillimin ekonomiko-shoqëror” dhe “Kina do të vazhdojë bashkëpunimin me komunitetin ndërkombëtar me qëndrim të hapur dhe transparent”.

Në tridhjetë ditët e kaluara, krerët e tetë shteteve të botës folën në telefon me homologun kinez për të shprehur mbështetjen e tyre, mbi 160 vende e organizata ndërkombëtare dërguan letra ose telegrame dhe qeveritë e dhjetëra vendeve e popujt e tyre kanë dhënë ndihmë të vyer. Siç tha Drejtori i Përgjithshëm i OBSh-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, sakrificat e mëdha që po bën Kina kanë dhënë kohë të çmuar për parandalimin dhe kontrollin e kësaj epidemie në përmasë botërore.

Të dhënat e fundit statistikore tregojnë se më 19 shkurt, numri i rasteve të reja të infektimit jashtë provincës Hubei vijoi rënien për 15 ditë radhazi. Ndërkohë, numri i rasteve të zbuluara jashtë Kinës është më pak se 1% e numrit të përgjithshëm global. Në të njëjtën ditë, 27 shkencëtarë nga Britania, Gjermania, ShBA-ja, Australia etj., publikuan një deklaratë të përbashkët në revistën mjekësore prestigjioze “Lancet”, ku shprehën mbështetje për punonjësit shëndetësorë kinezë dhe kundërshtuan teoritë konspirative për burimin jonatyror të virusit.