Sela pas takimit me Kurtin: Pa njohjen e Kosovës nga Serbia, s’mund të ketë “Ballkan të Hapur” (Video)

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Selën, kanë mbajtur takim së bashku, ku temë diskutimi ishte “Open Ballkan”, kriza e pandemisë dhe masat e ndërmarra nga ana e Qeverisë së Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Ai ka thënë se iniciativa e Ballkanit të Hapur nuk ka asnjë kuptim pa njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë.

“Këto takime ne si Aleancë për Shqiptarët i bëjmë në funksion të një zhvillimi politik. Rajoni ka zhvillime dhe për këtë na duhet edhe bashkëbisedim mes njerëzve të cilët duhet të kenë një udhë që i bashkon. E hapëm edhe diskutimin e krizës me pandeminë, masat të cilat mendojmë se do të lehtësohen. Për këtë na duhet edhe bashkëbisedim mes njerëzve. Diskutuam edhe për çështjen e Ballkanit të Hapur të cilin qëndrimi i aleancës është më se i qartë në drejtim të kësaj. As një iniciativë në Ballkan nuk ka asnjë kuptim përderisa nuk kompletohet mozaiku i fundit i stabilitetit të Ballkanit i cili është njohja e Pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë. Vetëm në këtë moment mund të hapen nisma të tilla regjionale. Ndryshe vlerësoj se kjo do të kishte efekt shumë të dëmshëm për shtetësinë e Kosovës dhe në përgjithësi me shqiptarët”, ka thënë Sela.