INTERVISTË EKSKLUZIVE ME ANDREJ KOVAÇEVIN
Pak ditë para samitit BE-Ballkani Perëndimor në Bërdo të Sllovenisë, gjithnjë e më shumë po shtrohet çështja e mundësisë së tejkalimit të ngërçit dypalësh midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Në një intervistë eskluzive për Klan Maqeconia, eurodeputeti bullgar, Andrej Kovaçev, që është zëvendëskryetar i grupimit të partive popullore evropiane në Parlamentin Evropian, shpjegon se problemi i vërtetë i ngërçit nuk është identiteti dhe gjuha e Maqedonisë së Veriut, por siç thotë ai, diskriminimi që i bëhet bullgarëve të Maqedonisë së Veriut, duke mos i integruar në administratën shtetërore dhe qeverisje, duke i trajtuar si tradhëtarë, apo bashkëpunëtorë të fashizmit. Kovaçev e quan krejtësisht të papranueshëm faktin që disa shtete anëtare fshihen pas ngërçit midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut për të mos hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë.
Intervistoi: Erisa Zykaj, Bruksel
– Sipas një non-paper të kohëve të fundit, Bullgarisë do t’i jepen garanci për njohjen e kontekstit historik të origjinës bullgare të qytetarëve të saj pa përjashtim. Bullgarët do të përfshihen në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, si pjesë e popullit bullgar, me të drejta si të gjitha pakicat e tjera dhe shoqatat bullgare, që punojnë mbi aspektetet e tyre të historisë dhe gjuhës, do të garantohen me kushtetutë. Çfarë mendoni për këtë propozim?
Andrej Kovaçev: – Më vjen keq, po pala bullgare nuk është e njohur me këtë non-paper. Bullgaria s’ka asnjë lidhje me këtë non-paper. Ne nuk konsiderojmë se kemi një minoritet në Maqedoninë e Veriut. Ne kemi qytetarë që janë pjesë e bullgarëve dhe jetojnë në Maqedoninë e Veriut. Ata janë të diskriminuar, pasi frikësohen të thonë që janë bullgarë. Nuk ka gjykatës, prokuror, punonjës policie në administratë apo ministritë e shtetit që mund të deklarojnë lirshëm që janë bullgarë. Ky është një problem i madh, pasi bëhet fjalë për një diskriminim të hapur ndaj personave që jetojnë në Maqedoninë e Veriut dhe dekarojnë se janë bullgarë dhe thonë të vërtetën lidhur me historinë. Historia është e shkuara dhe faktet janë fakte. Ka një problem në non-paper që lidhet me dy narrativa të qasjes të historisë, pra secili e intepreton siç do. Kjo nuk është e mundur. Goce Delçevi ka lindur në një familje bullgare, në një vend që i përket qytetit të Kukushit, është arsimuar në shkollë bullgare dhe ka dhënë mësim të gjuhës bullgare në një shkollë bullgare të qytetit të Shtipit, si dhe ka frekuentuar një kishë bullgare. Këtu nuk ka vend për një intepretim të dytë. Ai është bullgar dhe deklarohet si i tillë. Njerëzit rreth tij janë pjesë e komunitetit bullgar. Ka vetëm një intepretim nga këndvështrimi etnik. Goce Delçevi vetëdeklarohet bullgar. Pra, nuk mund të kemi dy intepretime, apo dy narrativa të një fakti historik. Në 30 vitet e fundit, Bullgaria është përpjekur të jetë shumë vëllazërore dhe mbështetëse për çdo hap të Maqedoninë e Veriut për të kapërcyer trashëgiminë e regjimit komunist të Titos dhe të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur pjesë e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian. Ne shpresojmë nga zemra që kjo të ndodhë. Nuk ka vend për ideologjinë komuniste në Bashkimin Europian. Ne nuk duam që brezat e rinj të urrejnë njëri-tjetrin. Ne nuk duam që në librat e historisë të Maqedonisë së Veriut të shkruhet që fqinji juaj është një tribu tartare, që janë fashistë dhe kanë tentuar t’ju asimilojë ju që prej 1.400 vjetësh. Kjo është diçka që ne së bashku duhet të kapërcejmë, gjithashtu edhe në Bullgari. Unë kam mbështetur fort ndryshimin në librat shkollor lidhur me fortifikimin historik të regjimit komunist të Dimitrovit dhe Zhivkovit, që janë diktatorë. Ne në Bullgari e kemi me ligj që regjimi komunist prej 1944 deri në 1989 është një regjim kriminal dhe gjithë liderët e regjimit dhe pjesëmarrësit e tij janë kriminelë. Shpresoj, që ne kemi të njëjtin kuptim në tê gjitha vendet post-komuniste. Komunizmi nuk ka sjellë asgjë të mirë. Është një vuajtje për dhjetëra mijëra njerëz, njerëzit janë vrarë, janë burgosur dhe janë dërguar nëpër kampet e përqëndrimit si në regjimin e Zhivkovit ashtu dhe në regjimin e Titos. Ne jemi kundër çdo lloj dikatature, neosocializmit, fashizmit dhe diktaturave komuniste. Janë njësoj dhe njerëzit.
– Pra, sipas jush ky koncept dual me një të vërtetë të vetme, por dy aspekte të përkufizimit të kontekstit kombëtar dhe kuptimit për dy identitetet, me dy narrativa, nuk mund të zbatohet në sistemin arsimor? A nuk është e lehtë të trajtohet. A nuk është kjo zgjidhja e duhur nga pikëpamja e Bullgarisë, apo nuk e zgjidh problemin?
Andrej Kovaçev: – Nuk ka diskutime mbi këtë non-paper dhe nuk ka garanci që asnjë nga elementet që përfshihen aty do të zbatohen. Pra, as që mund ta diskutojmë këtë. Fatkeqësisht, besimi ka humbur. Fatkeqësisht, elita vazhdon të jetë e lidhur me idelogjinë komuniste. Elita politike, akademike, fatkeqësisht edhe disa gazetarë në Shkup vazhdojnë të përdorin të njëtën narrativë mbi fashizmin: “Maqedonia e Veriut është një shtet antifashist”. Që do të thotë : “Ne na duhet të identifikojmë armiqtë dhe armiqtë janë bullgarët fashistë. Ky është boshti ynë dhe ne nuk mund të heqim dorë prej tij, pasi përndryshe ne do të zhdukemi”. Kjo s’është e vërtetë. Ka një propagandë nga Shkupi që tentohet të përhapet në Bashkimin Evropian dhe SHBA, që ne bullgarët kemi një problem me identitetin aktual dhe gjuhën e Maqedonisë së Veriut. Kjo nuk qëndron. Unë e kam thënë shumë herë në media. Qytetarët e Maqedonisë së Veriut mund të identifikojnë veten e tyre si maqedonas dhe mund të jenë krenarë për këtë dhe gjuhën e tyre maqedonase. Kjo është një e drejtë bazë e përfshirë në të drejtat universale të njeriut, por e njëjta gjë vlen për të gjithë ata persona që kanë vdekur dhe ata që jetojnë sot, që do të dëshironin të deklarojnë hapur që janë bullgarë. Ata nuk duhet të frikësohen se do të hiqen nga puna, nëse dekarojnë identitetin e tyre, nuk duhet të frikësohen që po të aplikojnë për vende pune, nuk do pranohen dhe do të trajtohen si tradhëtarë, bullgarash, ose bullgarofil, ose si bashkëpunëtorë të fashistëve. Kjo është kaq e shëmtuar, shumë e shëmtuar. Do ju jap shembullin e djaloshit të shkretë, që ishte kandidat për konkursin e Eurovizionit dhe që vetëm tha që kishte edhe pasaportë bullgare dhe gjyshja ishte me një origjinë bullgare. Ai është kërcënuar me vdekje dhe televizioni kombëtar krijoi një komitet për të vendosur nëse do të ishte mirë që ai të shkonte në Eurovizion. Ne kemi rreth 120.000-130.000 qytetarë me nështetësi bullgare, që me dokumentacion kanë provuar se kanë origjinë bullgare, sipas të cilës gjyshet ose gjyshërit janë prej Vardarit apo Maqedonisë së Egjeut. Këta persona frikësohen nga fakti që nënshtetësia e tyre bullgare do bëhet publike”.
– A shihni një mundësi për zgjidhjen e këtij ngërçi brenda presidencës sllovene, para fundit të vitit ?
Andrej Kovaçev: – Çdo gjë varet nga Maqedonia e Veriut, nga liderët politikë.
– S’keni asnjë sinjal nga Sofja, pala bullgare?
Andrej Kovaçev: – Çfarë sinjali? Ne thamë që traktati i bashkëpunimit që është nënshkruar midis dy palëve, që është shumë i moderuar mbi historinë tonë të përbashkët nuk respektohet dhe ky traktat nuk është i detajuar si traktati i Prespës. Eshtë gjithashtu jo e ndershme nga Bashkimi Evropian, që Shqipëria po vuan për shkak të kësaj. Shqipëria mund të fillojë negociatat e anëtarësimit, sepse aktualisht të gjitha shtetet anëtare mbështesin hapjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Mali i Zi filloi i vetëm negociatat e anëtarësimit, Serbia, po ashtu. Pra, nuk ka shpjegim logjik pse Shqipëria nuk mund të fillojë negociatat nëse vendi është gati, por këtu shihni hipokrizinë e disa shteteve anëtare që keqpërdorin ose e përdorin si pretekst situatën në Maqedoninê e Veriut për të mos fillluar negociatat me Shqipërinë. Kjo është hipokrizi e madhe e disa shteteve të BE-së. Pra, Shqipëria mund të nisë negociatat në çdo moment, ashtu si Maqedonia e Veriut, vetëm se kjo e fundit duhet të zbatojë konkluzionet e vendimit të marsit 2020 për rezultate të prekshme dhe zbatimin e Traktatit të fqinjësisë. Deri tani, kemi parë që i ashtuquajturi komisioni akademik që është ngritur nuk funksionon. Akademikët historikë po bëhen politikanë, po flasin me gjuhën e politikanëve, dhe janë të frikësuar të pranojnë faktet historike nga mesjeta apo shekullin e 19 dhe 20. Këtu bëhet fjalë për diskriminim dhe jo respektim të kritereve të Kopenhagës që lidhen me të drejtat bazë të njeriut. Nuk mund të jesh i frikësuar sepse deklarohesh bullgar. Ju keni të drejtë kur citoni kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, sepse aty duhet të jepen garanci, që komuniteti bullgar, pjesë e qytetarëve bullgarë, të mos frikësohen dhe diskriminohen, të mos trajtohen si tradhëtarë, apo fashistë, apo tartarë dhe nuk duhet të kërcënohen me vdekje. Nuk e kuptojmë pse duhet të ndodhë kështu pas 30 vjetësh, kur ne kemi njohur pavarësinê e Maqedonisë së Veriut, kemi dërguar armë nëse do të kishte një sulm nga Millosheviqi, ndihmuam gjatë embargos së Jugosllavisë me naftë dhe produkte, në 2001 ne kemi mbështetur sovranitetin dhe mbrojtjen e integritetit territorial të vendit dhe japim mbështetje për integrimin euroatlantik. Ne duam që vëllai ynë të jetë sa më shpejt të jetë e mundur pjesë e Bashkimit Europian.
– Ju thatë që ka disa shtete anëtare me një qasje hipokrite për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriu, por këto shtete konsiderojnë që nuk do ishte e ndershme të ecej përpara vetëm me Shqipërinë, kur Maqedonia e Veriut ishte më e avancuar pas vendimit të 25 marsit 2020 dhe parimisht s’kishte pengesa, ndërkohë që Shqipëria duhet të plotësonte gjashtë parakushte?
Andrej Kovaçev: – Po, kjo është e vërtetë. Shqipëria gjithashtu duhet të plotësojë disa kritere. Këto kritere u hartuan fillimisht nga Bundestagu dhe disa shtete të tjera të Bashkimit Europian. Kjo mbetet për të gjykuar, por siç e kam kuptuar unë, të gjitha shtetet anëtare janë gati të fillojnë negociatat e anëtarësimit edhe me Shqipërinë. I vetmi pretekst që ato po përdorin, është që Shkupi dhe Sofje nuk janë gati me një zgjidhje. Atëherë pse ndarja e dy shteteve nuk është e mundur kur ata thonë që Shqipëria është gati? Më kuptoni drejt, unë nuk po gjykoj nëse Shqipëria është gati me lirinë e shtypit, me reformën e drejtêsië, me procesin e Vettingut dhe të tjera. Ka shumë çështje, ama zyrtarisht, shtetet anëtare thonë që ju (Shqipëria) jeni gati, por na falni, se nuk i hapim dot negociatat për shkak të bullgarëve! Kjo është krejtësisht hipokrite dhe kurrsesi nuk mund ta pranoj. Nuk mund të thuash: Jeni gati, por nuk mund të filloni për shkak të Bullgarisë. Së dyti, ne duam të shohim jo një non-paper, por një udhërrëfyes të dakordësuar nga të dyja palët në kornizën negociuese të Maqedonisë së Veriut me garancitë e nevojshme. Ne e kërkojmë këtë, se s’kemi më besim dhe asgjë nuk është bërë në vitet e fundit për këtë. Ne nuk mund të pranojmë vetëm fjalë, non-paper apo që Zaev një ditë thotë diçka dhe ditën tjetër diçka tjetër. Një ditë thotë që – po ne do të tërheqim pjesën për pushtuesit fashistë dhe ditën tjetër ai referohet bullgarëve si nazistë. Në mbretêrinë e Bullgarisë, nuk ka patur parti qeverisëse neonaziste apo neofashiste. Bullgaria shpëtoi të gjithë popullsinë jezuite dhe ndihmoi 50.000 jezuitë për të udhëtuar me viza transit nga Evropa drejt Palestinës. Ne shprehim keqardhje që holokausti nuk mundi të evitohej dhe nuk u mund të ndaloheshin deportime nga ushtria naziste që kishin pushtuar Jugosllavinë. Dhe nuk duhet të harrojmë, që Jugosllavia pushtoi Maqedoninë në 1919 dhe Maqedonia nuk ekzistonte atëherë. Fjala Maqedoni ishte e ndaluar dhe territori quhej nga serbët si Serbi e Jugut, ndaj VMRO, së bashku me shqiptarët revolucionarë dhe bullgarët u ngritën dhe kjo njihet si kryengritja e Ohrit-Dibrës. Shqiptarët dhe bullgarët u bashkuan kundër pushtuesve serbë./Klan Macedonia/