Ballkani i hapur për grindje

injorancës ndër ata që kanë diploma të bollshme. Për një gjë të tillë që në shkollën fillore mësohet se duhet një parlament i përbashkët, një qeveri, administrate, ushtri, polici… Me të njëjtit partnerë fqinjë pas një dekade sërish do takohemi në BE, madje me ndërlidhje institucionale!

Shkruan: Mersel BILALLI

Pa dilemë se “Ballkani i Hapur” hapi do plagë të thella në rajon, madje edhe mes dy pushteteve në Shqipëri e Kosovë. Sikur ndokush kishte aq shumë nevojë për të ndërsyer zagarët mediatikë për ta shqyer “tradhtarin” që ia “shet kombin armikut historik”! Argumentet kundër në ambientin shqiptar janë të llojeve të ndryshme, por sikur dominon ai i dhunës dhe terrorit për dekada e vite të ushtruar në Kosovë. Por, gjithherë ka nevojë për një qasje të re. Po të nisej bota normale gjithherë me këtë argument, atëherë asnjëherë në Europë s’do kishte paqe. Në dyqind vitet e fundit, në luftërat mes shteteve europiane, tani anëtare të BE-së, humbën jetën afro 180 milionë njerëz dhe pati shumë vuajtje, shkatërrime e dhunime. Vetëm në Luftën e Dytë Botërore gjetën vdekjen mbi 50 milionë njerëz.

Legjitime, madje edhe e pritshme, është që nisma në fjalë të ketë edhe kundërshtime të caktuara, pasi deri dje këtu kishte zjarr, terror e masakra. Madje, vet nismat fillestare integruese europiane hasnin në këso kundërshtimesh për shkak të armiqësive shekullore mes francezëve, gjermanëve, britanikëve etj. Por, figurat e mëdha, në rend të parë Zhan Mone dhe Robert Shuman, të përkrahur nga SHBA-ja, vendosën që këtyre tragjedive t’u japin fund! Në Europë tanimë për 75 vite s’ka më luftë, por bashkëpunim dhe zhvillim. Mos t’i kishin këto integrime, Zoti e di se edhe sa lufta dhe vuajtje do të kishin ndodhë gjer tani!

Të gjitha analizat serioze tregojnë se po të mos filloj njëfarë integrimi rajonal, veçanërisht në kushte të bllokadës integruese në BE, rajoni jo vetëm që s’do të qetësohet dhe zhvillohet, por më së paku që mund t’i ndodhë është që ai të zbrazet. Këtu shqiptarët mbajnë rekordin. Mos harrojmë se mu për shkak të mungesës së interesimit për zhvillim (gjë, e cila as që pritej nga garnitura të korruptuara), sot Shqipëria ka 800 mijë banorë më pak se 30 vjet më parë. Në Maqedoni të Veriut popullata rezidente (që efektivisht jeton në këtë shtet) është e përgjysmuar. Regjistrimi do të tregojë sa shumë shtetas jemi, por ata sigurt se natyralizohen në vendet perëndimore, kurse popullata rezidente çdo ditë e më shumë mbetet e pakësuar dhe e vjetërsuar.

Iniciativa për tregun e përbashkët të vendeve të Ballkanit Perëndimor ka nevojë për sqarime të hollësishme. Shumë e pritshme është se ka forca ogurzeza në rajon që në çdo kohë dëshirojnë konflikt dhe ato e presin momentin e duhur. Por, njerëzit e përgjegjshëm s’duhet t’ua japin momentin këtyre forcave. S’ka ilaç më të mirë kundër tyre sesa bashkëpunimi dhe integrimi. Të tjerat janë vetëm mashtrime, keqpërdorime dhe manipulime, ku s’jepet asnjë rrugëdalje, pos komplikimeve që çojnë popullin në ferr.

Një argument tjetër kundër është konstatimi se Serbia ka fuqi më të madhe ekonomike dhe aftësi konkurrente dhe se eksporti serb në Shqipëri është afro tri here më i lartë se e kundërta. Thënë shkoqur, ekonomia e Serbisë do ta përmbysë tregun shqiptar me produktet e saj ushqimore. Por, çdo ekonomist mesatar do t’ua thotë se zgjidhja nuk është duke penalizuar eksportuesin serb, por duke stimuluar më shume prodhuesin shqiptar. Fatkeqësisht, e kundërta na ndodhë prej vitesh. Zgjidhja do të ishte një politikë incentivuese e asaj që quhet “zëvendësimi i importeve”, kryesisht për produktet bujqësore dhe ushqimore për të cilat Shqipëria ka avantazh. Sa u përket produkteve industriale dhe teknologjike, nuk kemi pse të lodhemi, sepse çdo prodhim që pretendojmë ta shesim në BE, i plotëson kriteret konkurrente gjermane apo italiane. Por, duhet theksuar se në çdo tregti të përbashkët ka subvencione nga fonde të përbashkëta.

Një çështje tjetër është klima investuese në çdo shtet. Këtu mund të pyesim se çfarë e pengon Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut të jenë po aq pragmatike sa Serbia që po merr njëkohësisht investime të huaja nga SHBA-ja, nga BE-ja, nga Turqia, Kina dhe nga Emiratet e Bashkuara Arabe? Në kohën kur teknologjia është lehtësisht e transferueshme, diferencën e konkurrencës e bëjnë kostot e punës, logjistika dhe transporti. Me logjikë të ftohtë ekonomike (ceterisparibus), supozojmë se Shqipëria dhe Serbia ta kishin të njëjtën klimë biznesi (p.sh., taksa, siguria kontraktuale, gjykata efikase etj.), pse një kompani multinacionale si “Fiat” do të zgjidhte Kragujevcin në Serbi dhe jo Durrësin nëse makinat ishin të destinuara për tregun italian, ndërkohë që kostoja e fuqisë punëtore është më e lirë, kostoja e logjistikës dhe e transportit më e lirë në Shqipëri? Pse kompania italiane “Terna” e ndërtoi kabllon nënujor për eksportin e energjisë me Italinë në Mal të Zi dhe jo në Shqipëri, ku është edhe prodhimi më i madh i energjisë dhe kostoja e ndërtimit do të ishte më e lirë? Apo, pse investitori kanadez vendosi të ndërtonte “Port of Montenegro” kur në fillim interesi i tij ishte të ndërtonte një port jahtesh në Orikum? Ndoshta mos është vonë të kuptojmë se patriotizmi i vërtetë është zhvillimi ekonomik, kurse ai tjetri folklorik është vetëm një shfarosje për popullin.

Disa mendojnë – integrime PO, por vetëm në BE, e jo nga ata rajonale! Por, dihet se vet BE-ja së pari u integrua mes vet armiqve të deridjeshëm. Atëherë, përse BE-ja neve të na privilegjojë më shumë sesa vetveten! Madje, edhe për anëtarësim në BE kusht themelor janë marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore. Madje, edhe integrimi brendashqiptar më së miri intensifikohet brenda makrotregut rajonal. Përndryshe i njëjti do mbetet vetëm një poezi e lezetshme për veshin. Ndërkaq poezitë lehtë shndërrohen në elegji, e mandej në tragjedi. Kurti së pari lyp “Makro-Schengenin brendashqiptar”, e pastaj atë rajonal, ndërsa Rama mendon se kjo gjë mund të bëhet pa dridhje vetëm brenda “Mini-Shengenit Ballkanik”. Por, edhe Kurti sikur indirekt pajtohet me njëfarë tregu të përbashkët rajonal, por siç potencon “përmes modelit të EFTA-s dhe EEA-së (Zonës Ekonomike Europiane)”. Pra, kemi qasje të ndryshme që kanë të bëjnë vetëm me formatin e veprimit. Kryeministri i Shqipërisë, si një promotor i krijimit të “Mini-Shengenit”, mendon se vazhda e Procesit të Berlinit i ka hapur rrugët e mbyllura brendashqiptare për lëvizje të lirë të mallrave, kapitaleve, shërbimeve, por edhe më shumë se kaq, që deri dje ka qenë si diçka e pa imagjinueshme për shkak të rezistencës së Serbisë, dhe jo vetëm saj! Në kushte të integrimit rajonal askush më nuk mund t’u akuzojë se e bëni “Shqipërinë e madhe”. Ish ministri shqiptar Genc Pollo vëren se Tregu i Përbashkët Rajonal është një “fëmijë i Procesit të Berlinit” dhe i referohet “tregtisë, tregut të punës, kalimit të kufirit dhe çështjeve të tjera” dhe se e “ka mbështetjen e Bashkimit Europian”.

Në fakt në rajon ekzistojnë dhjetëra iniciativa të ngjashme, siç janë, për shembull, Zona Rajonale Ekonomike (Regional Economic Area – REA); Këshilli Rajonal për Bashkëpunim (Regional Cooperation Council – RCC); CEFTA etj. Shumë veprime nga këto organizata koordinohen përmes Procesit të Berlinit, ku përfshihen të gjitha gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Serbia, BeH, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Kosova). REA e ka edhe dimensionin social dhe agjendën dixhitale, që i jep kredi të shtuar kësaj organizate në krahasim me CEFTA-n, e cila është shprehimisht një marrëveshje tregtare.

Shqipëria dhe Kosova, si shtete dhe si politika institucionale, duhet të koordinohen efektivisht drejt afrimit, integrimit rajonal dhe bashkëveprimit, pasi për një bashkim formal do të duhet të kalojë edhe shumë kohë, madje edhe pas marrëveshjes eventuale me Serbinë. Të përkujtojmë se për një bashkim edhe formal për momentin pengesë është edhe vet Kushtetuta e Kosovës, e cila që në nenin 1 e ndalon një gjë të tillë.

Liderët shqiptarë duhet ta kenë parasysh se cila fuqi botërore për momentin ka interes ta integrojë rajonin, e që tani për tani nuk eksponohet gjer në shfryrjen e kundërshtimeve të brendshme emocionale e politike. Dihet se këtë iniciativë të integrimit rajonal, pos Gjermanisë, fuqishëm po e përkrah edhe Banka Botërore, e pas saj dihet se kush qëndron. Andaj disa doktorë shkence që nuk hezitojnë që kryeministrit shqiptar t’i ngjisin etiketa shumë të rënda, shpejt do mbeten si peshku në të thatë. Ne kemi një situatë në Malin e Zi, ku ka një polarizim i madh. Në Bosnjë dhe Hercegovinë, për një kohë të gjatë, marrëdhëniet midis dy njësive janë tejet të tendosura. Plagët mes Serbisë dhe Kosovës vazhdojnë të gjakosin. A thua këto probleme më lehtë do zgjidhen si të acaruara?!

Madje, edhe në aspekt të komunikacionit rajonal, pengesat dhe obstruimet ndaj Shqipërisë dhe Kosovës në kufijtë e Serbisë (por edhe BeH-së) sjellin dëme të shumëfishta. A është më logjike që të vazhdohet me këso inatesh duke vrarë shanset ekonomike në vendet tona dhe duke shpërngulur rininë tonë vitale apo do mendojmë me koka të kthjellëta përpara se miqtë tanë strategjikë të na thonë se për aq kohë vazhdojmë të mbetemi të paaftë për gjykim dhe se për secilin hap kemi nevojë për tutorë e mentorë! Duke pas parasysh se tanimë edhe SHBA-ja doli në përkrahje të “tregut të përbashkët rajonal”, deklarata e ministres së Jashtme të Kosovës, Gërvalla, i ngjason një bajpasimi politik se “Ballkani i Hapur” “krijon idenë e përcjelljes së një mesazhi se ekziston një alternativë tjetër, përveç rrugës së përbashkët të rajonit drejt BE-së dhe se mesazhi është po aq i rrezikshëm sa edhe vonesat në integrimin europian”.

Me ndërmjetësimin amerikan, tanimë ekziston memorandumi, që ka të bëjë me trafikun hekurudhor dhe studimi i fizibilitetit për lidhjet hekurudhore Beograd-Prishtinë, duke përfunduar në portet e Detit Adriatik. Përgjithësisht, inkuadrimi kompatibil infrastruktural rajonal në rrjetin europian TEN-T do ta bëjë bregdetin shqiptar një epiqendër të disa korridoreve rajonale të Ballkanit Perëndimor. Kjo gjë jo vetëm që akoma më shumë do t’i integrojë shqiptarët në rajon, por aq më tepër ata do t’i shndërrojë në faktorë kyçë të Korridorit 8, 10 e 11, kurse përmes “Transferzales Jugore” dhe “Rrugës së Kombit” do t’i lidhë me shumë segmente të korridoreve tjera rajonale, me çka portet e Durrësit dhe Shëngjinit do të shndërron në porte strategjike rajonale, ku do të qarkullojnë miliarda dollarë.

Ekspertët botërorë janë të mendimit se nisma për tregun rajonal nuk ka asnjë ndikim negativ në procesin eurointegrues, madje është kompatibil me të, pasi bashkërisht shtetet i përmbushin kushtet e parapara për BE. Njëherazi nuk humbet kohë, pasi për momentin UE-ja i ka problemet e saja dhe nuk i përkushtohet zgjerimit. Ndërkaq ne në fakt ecim në drejtim të saj, që pas do vitesh kur të stabilizohet gjendja atje, ne në procedure të shpejtuar të anëtarësohemi (pasi në rajon bashkërisht kemi plotësuar shumë standarde). Mendim të ngjashëm ka edhe profesori Florian Bieber, anëtar i Grupit Këshillues të Politikave të Ballkanit në Europë (Balkans in Europe Policy Advisory Group – BiEPAG), duke vënë në dukje se “Mini-Shengen është një nismë e mirë dhe është vështirë të shohësh diçka të keqe në të. Do të ketë kuptim vetëm nëse përfshin jo vetëm tre, por të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Veçanërisht e çuditshme është që Kosova të mos jetë pjesë e nismës, pasi ajo është e rrethuar nga tre nënshkruesit” – thotë Bieber. Mbetja jashtë rajonit nënkupton izolim ekonomik, kurse Serbia akoma më shumë do të fuqizohej.

Konstatimet se bëhet fjalë për ndonjë Jugosllavi të re janë komike për ata që kanë së paku dy gramë dituri, aq edhe tragjike për nivelin e injorancës ndër ata që kanë diploma të bollshme. Për një gjë të tillë që në shkollën fillore mësohet se duhet një parlament i përbashkët, një qeveri, administrate, ushtri, polici… Me të njëjtit partnerë fqinjë pas një dekade sërish do takohemi në BE, madje me ndërlidhje institucionale!

Fundja, duhet rreshtuar aty ku na udhëzojnë partnerët strategjikë, pa të cilët nuk do ekzistonim as si komb e as si shtete sot. Shqipëria vetë nuk do të kishte mbijetuar si shtet i ri pas shpalljes së pavarësisë, nëse nuk do të ishte, përveç të tjerash, akti i madh i marrjes nën mbrojtje nga Presidenti i SHBA-së, Woodrow Wilson, dhe Austro-Hungaria. Sikundër Kosova nuk do të ishte sot shteti i dytë shqiptar në Ballkan pa ndërhyrjen ushtarake të NATO-s kundër ushtrisë së Millosheviqit, që e ndali gjenocidin dhe e solli çlirimin. Serbia e di mirë se është e rrethuar me anëtare të NATO-s dhe e bën atë që më së miri është për të në këso rrethanash. Andaj, koha është të mendojmë me tru e jo me zemër. Shpesh jemi të detyruar të zgjedhim jo atë që duam, por atë që duhet.