Ramiz Merko do të garojë për mandatin e katërt në Komunën e Strugës në zgjedhjet lokale të tetorit, shkruan gazeta LAJM. Këtë e ka bërë të ditur zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, gjatë një tryeze për Marrëveshjen e Ohrit të organizuar në Strugë ku i pranishëm ishte edhe z.Merko.
“Kam kënaqësinë e madhe që ne emër të kryetarit Ali Ahmeti të ju njoftoj se z.Ahmeti ka vendosur që Ramiz Merkon t’ia propozojë Këshillit të Përgjithshëm të BDI-së për një mandat të ri dhe për një fitore të re në zgjedhjet lokale të 17 tetorit ku do ta korrim fitoren e radhës”, tha zv.kryeministri Artan Grubi./Gazeta LAJM
Ditë më parë, në një intervistë për gazetën LAJM, Merko tha se janë organet e partisë që do të vendosin për rikandidimin e tij ndërsa u shpreh i gatshëm që të mbështesë secilin kandidat tjetër të BDI-së, nëse ai nuk do të zgjidhej për garën e tetorit. Merko foli edhe për akuzat për shpërdorimin e detyrës dhe tha se asnjëherë nuk ka keqpërdorur buxhetin e komunës.



