ASH-Kumanovë: Parqe vetëm për maqedonasit, te vendbanimet shqiptarët nuk investohet (Video)

“Aleanca për Shqiptarët”, ka reaguar sot për gjendjen e mjerueshme në të cilën është lënë Parku i Qytetit në Kumanovë, shkruan gazeta LAJM. Sipas përfaqësuesve të kësaj partie në Kumanovë, autoritetet lokale nuk investojnë aspak në parkun më të vjetër të qytetit vetëm për shkak se i njejti ndodhet në afërsi të lagjeve shqiptare. Huzeir Mustafa nga ASH-ja, thekson se ndryshe nga lagjet shqiptare, në vendbanimet maqedonase në Kumanovë, parqet përveç që mirëmbahen kanë edhe pishina, salla sporti, fusha për tenis e futboll, si dhe kënde lodrash për fëmijë.

“Ky park që shihni në foto ndodhet në lagjet e banuara me maqedonas. Përveç bukurisë e rregullimit posedon edhe pishinë olimpike, salla sporti, për tenis, futboll e shumë mundësi të tjera rekreative. Parku ku jemi sot ka vetëm një faj, ndodhet në një lagje të banuar me shqiptarë. Ky park jo vetëm që nuk ka fusha sporti e pishinë, por nuk ka as edhe pamjen e parkut. Ky park as nuk mirëmbahet, as nuk pastrohet e aq më pak të dekorohet. I dëgjojmë shpesh duke thënë se janë për ambient të pastër, për natyrë, se parqet nuk ndahen në baza etnike. Edhe për këtë sot do të thonë se parkun në lagjen maqedonase mund ta shfrytëzojnë të gjithë. Por i pyesim publikisht, përse nuk investoni që edhe këtë park ta shfrytëzojnë të gjithë, ani se banorët lokal janë shumica dërmuese shqiptarë. Ata që premtojnë shoqëri për të gjithë, jeshillëk e shumë gënjeshtra të tjera, për koincidencë, lagjet shqiptare i kanë lënë sot të shkreta, pa ujë, pa infrastrukturë, pa ndriçim e pa parqe. Madje edhe këto që na i ka falë Zoti, po i dëmtojnë nga pakujdesia dhe nga mungesa e investimeve. Këto pak investimе që po i shihni si fontana apo ky kënd i vogël i lodrave janë investime private të disa qytetarëve shqiptarë! Aleanca për Shqiptarët, fton qytetarët që bashkërisht të ndalim këtë diskriminim dhe pasi të marrim pushtetin lokal, të rikthejmë krenarinë dhe shkëlqimin e çdo vendbanimi në Kumanovë”, tha Huzeir Mustafa nga dega e ASH-së në Kumanovë.