Profesor Avni Dehari nga Kumanova, babai i Astrit dhe Arbnor Deharit, është kandidati numër 5 në Listën e Vetëvendosjes për deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit. Paralelisht me fushatën që është futur në ditët e fundit, profesor Dehari nuk ndahet as nga letërsia-vazhdon të krijojë edhe më tutje. Premton se nga letërsia nuk do të ndahet as si deputet. Shkruan vepra për të gjitha gjenerata, kurse botimi i fundit i dedikohet fëmijëve.
Kulmi i krijimtarisë së tij letrare është trilogjia për Gjergj Kastriot Skënderbeun, të cilën thotë se me disa ndërprerje, e ka punuar plot 20 vite. Mundi është shpërblyer dhe kjo trilogji është shpallur proza më e mirë për të rinj në Kosovë, si dhe ka shënuar një rekord, duke u ribotuar pesë herë. Një botim i plotë është shpërndarë në Maqedoni.
Dehari tregon se si i lindi ideja të shkruajë trilogjinë për Skënderbeun, deri sa ka qenë mërgimtar në Zvicër, ku kishte ikur në vitet e tetëdhjeta nga represioni Jugosllav, që në Kumanovë ishte edhe më i theksuar.
Pjesë e veprimtarisë së tij letrare janë edhe vëllime kushtuar figurave kumanovare të përndjekura nga regjimi komunist. Disa prej veprave janë në bashkëautorësi me shokë nga mërgimi, që poashtu kanë qenë të persekutuar në kohën e ish Jugosllavisë./Gazeta Lajm





