Shkruan: Abdulla Mehmeti
"Serbët në Maqedoninë Veriore me Kushtetuta njihen pakicë me privilegjet
përkatëse. Kjo ka qenë nën mbikëqyrje nga ana e Bullgarisë", kështu tha historiani
Prof. Svetlozar Eldarov për "Dita ON AIR" dhe shtoi: "Bullgaria nuk ka dashur që
bullgarët të kishin një status të tillë. E gjitha kishte të bënte me konceptin "një komb
me dy shtete."
1.
Politikanët dhe pushtetarët e Maqedonisë Veriore, shumica e tyre dhe gati gjithmonë
janë paraqitur me shumë fytyra në raport me shtetet fqinje, ndërsa gjithmonë kanë
vepruar me maska në skenën politike në vendin e vet.
Do të vijë koha kur shumë ish-politikanë e pushtetarë nga Maqedonia Veriore të
japin llogari para qytetarëve të vendit dhe përpara historisë, pse kanë punuar, në
bashkëpunim me shërbimet sekrete të shteteve fqinje, kundër interesave të popullit
të tyre dhe interesave të shtetit.
Historia nuk duhet të falë gabime të tilla, të cilat u kanë kushtuar qytetarëve dhe
shtetit, 30 vjet krizë politike, prapambetje, konflikte dhe bllokada nga shtetet fqinje,
për çështje të emrit të shtetit, të historisë, gjuhës, kulturës dhe identitetit të popullit
maqedonas.
2.
Nga deklarata e mëposhtme e historianit bullgar, prof. Svetlozar Eldarov, më së
fundi, këto ditë u tha një e vërtetë e madhe, për të cilën kami shkruar disa herë,
shumë kohë më parë, por që nuk janë mirëkuptuar nga opinioni, mediet dhe klasa
politike në Maqedoninë Veriore.
Kjo është vetëm njëra nga çështjet e ruajtura si sekret nga elitat politike dhe nga
pushteti, ndërsa për drejtuesit shqiptarë të politikës dhe pushtetit nuk e dimë saktë
sa mund të mbajnë përgjegjësi për këto çështje, duke e ditur se asnjëherë nuk kanë
qenë faktor vendimmarrës për çështje të këtilla, duke qenë formalisht në pushtet, për
shërbyer si vegla qorre dhe vasalë të pushtetit.
Shpresojmë se ka ardhur koha të hapen këto tema, në interes të shtetit dhe të
qytetarëve, të vlerave demokratike, por edhe për ndërtimin e raporteve miqësore të
sinqerta mes Maqedonisë Veriore dhe shteteve fqinje, për bashkëpunim, mirëkuptim
dhe rrugëtim të përbashkët në të ardhmen, në proceset integruese dhe zhvillimore
evropiane e ndërkombëtare.
3.
Ndër përgjigjet që ish-politikanët dhe pushtetarët e Maqedonisë Veriore, pa dallim të
përkatësisë etnike të tyre, duhet të japin para qytetarëve dhe përpara historisë, janë:
1. Kush dhe pse lejoi që pjesë shtesë (e panevojshme) në pyetjen e Referendumit
për pavarësinë e Maqedonisë, të mbajtur më 8 shtator 1991, të përfshihet edhe
formulimi me këtë përmbajtje: “A jeni për shtet të pavarur dhe sovran të Maqedonisë,
me të drejtë për hyrje në një bashkim të shteteve sovrane të Jugosllavisë? Aludimi
ka qenë tepër i qartë se me cilin shtet fqinj kanë pretenduar pushtetarët dhe
politikanët e Maqedonisë ta bashkojnë shtetin e tyre pas vitit 1991.
2. Kush dhe pse lejoi që, qytetarët me përkatësi etnike bullgare të mos përfshihen në
preambulën e Kushtetutës së parë të shtetit të pavarur të Maqedonisë, në vitin 1991,
siç kanë qenë të përfshirë, shqiptarët, turqit, romët, serbët, vllahët dhe boshnjakët?
3. Kush dhe pse lejoi që banorët e këtij shteti, të cilët e ndjejnë veten bullgarë, të
mos përfshihen në rubrikën për deklarimin e lirë të përkatësisë etnike, në regjistrimin
e popullsisë, më 1991, 1994, 2002?
4. Kush dhe pse lejoi që data 8 shtator të caktohej si ditë për mbajtjen e
Referendumit për pavarësinë e Maqedonisë, në vitin 1991, duke pasur parasysh se
më vonë kjo do të shpallej edhe festë më e madhe shtetërore e kombëtare, 8
Shtatori, të cilin e shënon Maqedonia Veriore për tri dekada me radhë. Për lidhjen
dhe rëndësinë historike të kësaj date duhet të flasin historianët dhe politikanët e asaj
kohe, ata që ende janë gjallë. Kjo nuk ka qenë një datë e panjohur në historinë e
popullit të Maqedonisë, që fatkeqësisht lidhet me krijimin e shtetit të dytë bullgar të
Ivan (Vanço) Mihajllovit, më 8 shtator 1944.
5. Cilët dhe pse, disa ish-politikanë dhe pushtetarë shqiptarë, në bashkëpunim me
qendra të caktuara politike, në vend dhe jashtë vendit, e zbatuan eksperimentin e
parë, që nga pavarësimi i shtetit të Maqedonisë, në Komunën e Tetovës, qendër
politike, kulturore dhe atdhetare e shqiptarëve, të cilin sot pala bullgare mundohet ta
shtrijë në gjithë territorin e shtetit të Maqedonisë, me idenë për shënimin e festës
kombëtare të këtij shteti fqinj, 3 Marsin, të njohur në histori si datë e Marrëveshjes së
Shën Stefanit?
4.
Këto pyetje njëherësh japin edhe përgjigje, për manovrat e politikanëve dhe
pushtetarëve të Maqedonisë të asaj kohe, duke krijuar përshtypje të rrejshme te pala
serbe edhe te pala bullgare, me mohimin e të drejtave të qytetarëve me përkatësi
etnike bullgare, me tensionimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve ndëretnike me
shqiptarët vendës, ndërkohë që disa nga këta politikanë e pushtetarë kanë punuar
për interesa serbe e ruse, disa të tjerë kanë punuar për realizimin e konceptin bullgar
“një komb me dy shtete”, shumica vetëm për interesa të veta personale, familjare
dhe klanore, por shumica gati asnjëherë nuk kanë punuar për interesat e shtetit të
tyre, për Maqedoninë e pavarur dhe demokratike, shtet i të gjthë qytetarëve të saj,
siç pohon edhe profesori i nderuar bullgar në deklaratën e mëposhtme.
Ky profil i politikanëve dhe pushtetarëve të Maqedonisë Veriore, me dy fytyra
përpara fqinjëve të tyre serbë, bullgarë, grekë e shqiptarë, para qytetarëve të vendit
dhe për interesat e shtetit gjithmonë kanë qenë figura me maska në skenën politike.
Pjesë nga deklarata e profesorit bullgar:
"Serbët në Maqedoninë Veriore me Kushtetuta njihen pakicë me privilegjet
përkatëse. Kjo ka qenë nën mbikëqyrje nga ana e Bullgarisë", kështu tha historiani
Prof. Svetlozar Eldarov për "Dita ON AIR" dhe shtoi: "Bullgaria nuk ka dashur që
bullgarët të kishin një status të tillë. E gjitha kishte të bënte me konceptin "një komb
me dy shtete".
(3 shkurt 2021)



