Jetësimi i dashurisë për LIRINË…

Arbër Çeliku

Kosova, sipas të dhënave zyrtare, ka një sipërfaqe prej 10.887 km2. Çdo milimetër e kësaj sipërfaqeje tokësore është larë me gjak brez pas brezi për shekuj me radhë, janë shuar familje të tëra për mbrojtjen e saj; tokë që më shumë lëngon sot nga plagët e së kaluarës, se sa që mbin dhe pllenohet.
Hiç më shumë se 3 persona, nga privatizimi kishin përfituar mbi 1000 hektarë nga kjo tokë kaq e shkelur, e gjakosur dhe e vrarë me mija herë, por që mund të jenë edhe me dhjetëra mijë hektarë që s’dihen, ngaqë tashmë në realitetin tonë është bërë praktikë të duket vetëm maja e ajsbergut, sipërfaqja e nëntëshme mbetet enigmë përgjithmonë.

Ky është vetëm një shembull ilustrues i privatizimit të tokave tona, madje më shkatërrimtar është privatizimi i institucioneve shtetërore, arsimore, kulturore dhe shkencore, që shërbejnë sot për strehimin e partizanëve partiakë. Nuk do shumë mend, që kësisoj u privatizua edhe LIRIA, ai entitet, për të cilin u derdh gjak shqiptari denbabaden. Këtë disrespekt për vetveten nuk e njeh as historia dhe as civilizimi botëror. Sot bota për një cent të gjykon dhe të dënon, jo për 1000 hektarë tokë, madje të ta japë luksin e bredhjeve post më post, sikur shteti të ishte Zabeli i Hajdarit.
Kjo shakullinë shkatërrimtare, e cila në rrotullimet e veta marramendëse ka tërhequr shumë individë, duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë. Madje, edhe ata të rinj dhe të reja, të cilëve shakullina u paraqitet si shpëtimi i tyre, duhet t’ia kthejnë shpinën dhe të kontribuojnë në normalizimin e shtetit, që as ata më, por as edhe fëmijët e tyre të mos jetojnë nën ethet dhe ankthin e së nesërmes, nën dëshirën e braktisjes së tokës së tyre, nën frikën e hakmarrjes së privatizuesve të shoqërisë dhe shtetit.
Tani është koha për të marrë qëndrim shoqëror dhe kombëtar për pragun epokal dhe të kontribuojmë të gjithë së bashku në krijimin dhe zhvillimin e një lloji të etikës së virtytit politik. Për fatin tonë të mirë, po na ofrohet një galeri figurash të personaliteteve që kanë sakrifikuar dhe e kanë dëshmuar veten për një Kosovë të lirë dhe demokratike, që kanë qenë aktorë të pakorruptuar, por të përkushtuar për ngjarjet dhe të cilët jam i bindur se do të trasojnë një rrugë të re të plotësimit të kësaj galerie edhe me figura të tjera eminente në të ardhmen.
Kjo është dashuria për LIRINË, e cila këta figura i ka bërë imunë ndaj nepsit, privatizimit dhe shkatërrimit të shtetit, por edhe ndaj tundimeve të dekadave tona nën qeverisjet me tipare të përafërta totalitare.