5 meshkuj dhe mësuesja përfundojnë prapa grilave!

Prokuroria Publike në Shkup ka shqiptuar paraburgim për gjashtë të arrestuarit në operacionin anti-drogë që është realizuar dje dhe sot në Shkup, ka bërë të ditur Prokuroria. Ata dyshohen për kryerjen e veprës penale – prodhim dhe lëshim në shitje në mënyrë të paautorizuar të lëndëve narkotike, përcjell TV21.

Nga hetimi i prokurorisë, është vërtetuar se gjatë periudhës prej fundit të muajit janar deri në mesin e muajit mars, të dyshuarit, katër meshkuj dhe një grua, me pretendim kanë kryer disa veprime të ndërlidhura që paraqesin kryerje të veprës së njëjtë, duke shfrytëzuar raport të njëjtë dhe raste të njëjta. Me masa të veçanta hetuese dhe veprime të tjera me urdhër të prokurorit publik, janë siguruar dëshmi për dyshime të bazuara se të dyshuarit në periudhën në fjalë në mënyrë të paautorizuar, për shkak të shitjes kanë blerë amfetamin, stimulues të sistemit qendror nervor i cili është i klasifikuar në listën nacionale II për substanca psikotrope të kontrollueshme.

“Në bastisjes e kryera në 7 vende në Shkup gjatë ditës së djeshme dhe gjatë mëngjesit të sotëm, pjesëtarë të Njësitit për tregti të palejueshme me drogë dhe armë në kuadër të SPB Shkup, kanë zbuluar laborator për prodhim të amfetaminës, si dhe drogë me vlerë një “tregun e zi” rreth gjysmë milioni euro – amfetaminë në sasi prej 7 kilogramë, një kilogram kokainë, rreth 22 kilogram marihuanë, rreth 3000 tabletë ekstazë, më shumë peshore digjitale dhe pajisje për prodhim të amfetaminës, evidenca, fletore dhe fleta me persona që kanë blerë drogë, si dhe para që dyshohet se kanë dalë nga shitja e drogës”, qëndron më tej në njoftimin e Prokurorisë.

Një person dyshohet edhe për armëmbajtje pa leje, pasi gjatë bastisjes janë gjetur pushkë automatike, 667 plumba të kalibrit të ndryshëm, kornizë dhe pjesë të tjera të armës së zjarrit.

Mes të arrestuarve kujtojmë se është edhe një mësuese që punon në një shkollë fillore, ka zbuluar mbrëmë MPB-ja.