366 të vdekur nga koronavirusi në Itali, 133 vetëm në 24 orët e fundit

24 orët e fundit ka qenë më dramatike për Italinë. Janë shënuar 133 vdekje nga korona virusi. Numri I të infektuarve ka arritur mbi 6 mijë persona që e bën Italinë vendin e dytë në botë pas Kinës për dëmet tragjike të shkaktuara nga virusi korona. Deri tani janë shënuar 366 vdekje dhe 622 të shëruar. Në grupmoshën e viktimave të koronavirusit, “nuk ka ndryshime të konsiderueshme, këta janë gjithmonë pacientë të moshuar”, ka thënë Silvio Brusaferro, president i Institutit të Lartë të Shëndetit në Itali.

Gjendja e jashtëzakonshme me korona virusin ka shkaktuar kryengritjen në 27 burgje në Itali, pas vendimit të masave për të ndërprerë takimet mes të burgosurve dhe familjarëve deri më 31 maj 2020.

Situata paraqitet dramatike pasi 6 të burgosur kanë humbur jetën në burgun e Modenas ndërsa dhjetëra të terë janë lënduar. Sipas mediave italiane, motivi i vdekjes ka qenë ovërdoza, pasi kanë sulmuar infermierinë e burgut duke marrë doza metadoni për të kuruar varësinë nga heroina. Katër punonjës policie kanë mbetur të plagosur. Dy të burgosur të tjerë janë në gjendje të rëndë. Shqetësuese është gjendja në burgjet e San Vittorio në Milano ku të burgosurit kanë djegur dyshekët duke i vënë flakët qelive, e kanë hipur në çatinë e strukturës me thirrjet “Duam liri”.
Sindikata e Policisë së burgjeve me një komunikim mediatik i kanë bërë apel Presidentit të Republikës Serxho Matarela, kryeministrit Xhuzepe Konten dhe Ministrit të Drejtësisë Alfonso Bonafede , që të garantojnë forca e mjete për të marrë në kontroll gjëndjen në burgjet italaine që tashmë vazhdon prej 2 ditësh.

Ndërkohë, në Kinë është shënuar për të dytën ditë numri më i ulët i rasteve të reja me Covid-19 që nga shpërthimi i virusit. Në 24 orët e fundit janë regjistruar vetëm 40 raste me koronavirus, 36 prej të cilëve ndodhen në Vuhan, epiqendra e përhapjes së virusit. Agjencia e lajmeve Xinhua, raporton se aktualisht janë mbyllur 11 nga 16 spitalet e ndërtuara posaçërisht për të prekurit nga koronavirusi në Vuhan.