30 viktima të tjera vendosen të prehen në Srebrenicë në 28 vjetorin e masakrës

Mbetjet e 30 viktimave të tjera të masakrës së Srebrenicës në Bosnie u vendosën dje të prehen në varrezën e gjerë, teksa mijëra njerëz kujtonin ngjarjen e rëndë të 28 viteve më parë.

Shumica e 30 viktimave të varrosura të martën ishin identifikuar në vitet e mëparshme por familjarët kishin pritur deri në gjetjen e më shumë mbetjeve.

“Ne e dimë tani ku janë kockat e tij … e dimë ku të shkojmë të lutemi,” thotë ish-banori i Srebrenicës, Nedzad Mehinovic, babai i të cilit Idriz ishte mes të varrosurve të rinj.

Në masakër Mehinovic ka humbur gjithashtu gjyshin e tij, xhaxhallarë, nipër dhe të afërm të tjerë, siç tregon ai për rrjetin AFP.

Më shumë se 8,000 burra dhe djem myslimanë boshnjakë u vranë kur forcat serbe sulmuan qytetin lindor të Srebrenicës në korrik të vitit 1995, pavarësisht pranisë së trupave paqeruajtëse holandeze.

Edhe pse Këshilli i Sigurimit i OKB-së e kishte shpallur Srebrenicën një “zonë të sigurt” në pranverën e vitit 1993, trupat e udhëhequr nga gjenerali Ratko Mlladiç, i cili më vonë u shpall fajtor për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid, pushtuan zonën.

Mbetjet e shumë prej viktimave kishin gjetur në varre masive në lindje të Bosnies, ku autorët i kishin zhvendosur për të fshehur krimin.