250 milionë euro për masat anti-krizë në 2023-tën! Qeveria thotë se do të ketë më pak para për mëditje, udhëtime zyrtare e vetura

Përgjigje ndaj krizës energjetike, mbështetje për kategoritë në rrezik social qytetarësh, rritje e qëndrueshme ekonomike dhe intensifikim i procesit integrues në BE,  janë disa nga prioritetet e propozim-Buxhetit për vitin e ardhshëm. Të gjitha masat antikrizë për mbrojtjen e standardit, masat për ruajtjen e çmimeve të produkteve bazë, për sigurimin e çmimit më të ulët të energjisë elektrike në raport me çmimin e tregut, do të vazhdojnë edhe në vitin 2023.

“Nga buxheti i përgjithshëm janë ndarë 250 milionë euro për masat antikrizë. Gjithashtu janë siguruar mjete edhe për të gjitha kompensimet për kategoritë e cenueshme qytetarësh, për të papunët, të falimentuarit, për ndihmën e garantuar minimale, ndihmën dhe kujdesin e një personi tjetër, mbështetjen për personat me aftësi të kufizuara, kompensimet sociale dhe kompensimet për të papunët, si dhe për masat aktive për punësimin e të rinjve dhe personave me aftësi të kufizuara. Është planifikuar të vazhdojë harmonizimi i pagës minimale me atë mesatare dhe me koston e jetesës, në përputhje me zgjidhjen e përcaktuar në mënyrë sistematike”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Për investimet kapitale – 800 milionë euro
Për shëndetësinë – 685 milionë euro

Për administratën publike -570 milionë euro
Për komunat – 434 milionë euro, ku janë paraparë edhe mjete për pagesën e rrogave të rritura të 40.000 të punësuarve në arsim.
Për pensionet – 120 milionë euro

I pari i Financave, Besimi, thotë se do të reduktohen shpenzimet joproduktive për mëditje, udhëtime zyrtare, mobilie dhe vetura. Buxheti i ri do të sillet sipas Ligjit të ri për Buxhet, i cili ka disa ndryshime cilësore, pas të cilave Qeveria qëndron fuqishëm, shton Besimi.


“Për çdo politikë duhet të ketë arsyetim për parashikimin e mjeteve për realizimin e atyre politikave. Kjo do të thotë se do të ketë tregues historikisht për të kaluarën, por edhe në të ardhmen. Tregues në aspekt të inputeve, shpenzimeve që realizojnë, numrit të të punësuarve, lartësisë së shpenzimeve operative dhe shpenzimeve të tjera që kanë të bëjnë me punën operative. Në aspektin e politikave, do të ketë tregues për rezultate ose të njohur si tregues të performancës”, tha 
 Fatmir Besimi, ministër i Financave.

Kovaçevski paralajmëron se viti 2023 do të jetë viti i projekteve infrastrukturore që do të krijojnë lidhje brenda shtetit, në rajon, por edhe në Europë. Me këtë, ai pret rritje më të madhe ekonomike dhe zhvillim të bizneseve. Do të vazhdojë ndërtimi i Korridorit hekurudhor 8 dhe autostradave kyçe, do të vazhdojë gazifikimi i shtetit, do të rindërtohen rrugë lokale dhe do ndërtohen banesa sociale. Do të modernizohet bujqësia dhe do të investohet në sektorin energjetik./TV21