23 vjet nga rrëmbimi i Nebi Nuhiut në Preshevë

Shkruan: Enver Rrobelli

Si sot më 2 shkurt 2000 në Preshevë u nxor nga shtëpia dhe pastaj u rrëmbye me forcë Nebi Nuhiu, pronar i një pike karburantesh dhe biznesmen i njohur i atij rrethi. Vajza e tij të nesërmen u deklaroi gazetarëve se rrëmbimin e babait të saj e kanë kryer “katër djem trupmëdhenj mes moshës 20 dhe 30-vjeçare”. Ata erdhën te pika e karburantit rreth orës 14:00 me një “Mercedes” me targa të Vranjës dhe me një “Audi”. Gjysmë ore pas rrëmbimit, kriminelët kërkuan 110 mijë marka. Nëse familja nuk i sjell ato para, ata do ta vrisnin Nebi Nuhiun, kështu u kërcënuan ata. Dy orë më vonë e lejuan Nebi Nuhiun të flasë me familjen. Po atë mbrëmje familja arriti të sigurojë 70 mijë marka dhe t’ua dorëzojë kriminelëve diku “para Vladiçin Hanit”, por Nebi Nuhiu nuk u lirua. Që nga atëherë nuk dihet asgjë për fatin e tij. Inspektorët e policisë së Vranjës nuk e kanë kryer punën e tyre, madje njëri prej tyre është arrestuar nën akuzën se e ka detyruar Nebi Nuhiun t’i japë para.