“15.000 të vdekur për 5760 minuta futboll. Turp t’ju vijë”, tifozët e Bayern mesazh për Katarin

Kontestimet për zhvillimin e Kupës së Botës në Katar, po bëhen gjithnjë e më të zëshme sa më shumë afron dita e startit të eventit më të rëndësishëm futbollistik. Janë pikërisht tifozët gjermanë ata të cilët mbajnë lart flamurin e protestave të cilat lidhen me shkeljen e të drejtave të njeriut në Katar.

Një nga shkaqet për të cilat është protestuar fort kundër Katar 2022, është edhe fakti se në ndërtimin e impianteve për Kupën e Botës shumë punëtorë kanë humbur jetën si pasojë e të punuarit pa kushtet minmale të sigurisë.

Kështu, para ndeshjes së Bundesligës me Hertha Berlin dhe Bayern Munich, tifozët bavarezë shpalosën një baner shumë domethënës; “15.000 të vdekur për 5760 minuta futboll. Turp t’ju vijë”, ishte mesazhi i lëshuar nga ana e tifozëve të Bayern Munich, me gjermanët që duket se nuk do të ndalen në ndërgjegjsimin e tyre për atë që ka ndodhur në Katar.