Posta e Maqedonisë sot në parkingun përpara Qendrës Sportive “Boris Trajkovski” pranoi 100 automjete të reja, të siguruara nga Ministria e Transportit, përcjell TV21. Drejtori i SHA “Posta e Maqedonisë së Veriut”, Orhan Kurtishi tha se janë siguruar 10 furgonë dhe 90 automjete “pick up”, ndërsa ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski tha se kanë kushtuar 104 milionë denarë, ose 1.69 milionë euro.
“Me ndihmën e e Qeverisë së RMV-së, përmes Ministrisë së Transportit, për nevojat e institucionit tonë kemi pranuar një donacion prej 100 mjeteve transportuese, nga të cilat 90 pick up dhe 10 furgonë”, tha Kurtishi.
“Automjetet e vogla janë me kapacitet ngarkese prej 750 kg, ndërsa të mëdhatë prej 1800 kg dhe do të ndihmojnë shumë në përshpejtimin e dërgimit të porosive. Jam krenar posaçërisht, që nga vlera prej 130 milionë denarë, pa TVSH, në aukcion elektronik, çmimi u ul për 25 milionë denarë, që do të thotë se kemi kursyer diku, 400 mijë euro vetëm në këtë prokurim publik, çmimi final është 104 milionë denarë, pa TVSH”, tha Nikolloski.



