​Vritet një polic në Mitrovicë, policia jep detaje

Një zyrtar policor është vrarë aksidentalisht në poligon të gjuajtjeve në Cërnushë të Mitrovicës.

Zëdhënësja e Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës, Nita Mustafa, ka thënë se polici në emergjencë është dërguar pa shenja jete.

“Polici i vrarë është sjellë pa shenja jete tek ne në Spitalin e Mitrovicës, mjekët nuk kanë mundur t’i ofrojnë asnjë shërbim pasi ka ardhur pa shenja jete”, është shprehur ajo.

“Viktima ende gjendet në spitalin tonë derisa ekipet e mjekësisë ligjore të vijnë ta marrin”.

***

Një pjesëtar i policisë së Kosovës ka ndërruar jetë sot si pasojë e plagëve të marra derisa kishte qenë në gjuajtje me armë zjarri në poligonin e gjuajtës së policisë në Cerrnushë të Mitrovicës.

Sipas policisë, B.T. (44), punonjës në Drejtorinë Rajonale të Policisë Mitrovicë Veri, është plagosur me armë derisa ai kishte qenë në gjuajtje me armë zjarri në kuadër të trajnimit të rregullt periodik – ricertifikimi.

Ai është transportuar menjëherë në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, por nga ana e personelit mjekësor është konstatuar vdekja e tij.

Sipas informatave të para, rasti ka ndodhur aksidentalisht. Njësitet kompetente të Policisë kanë dalë në vendin e ngjarjes si dhe është njoftuar Inspektorati Policor i Kosovës, të cilët do të vazhdojnë hetimet në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorin.

***

Një polic ka mbetur i vrarë me armë zjarri sot paradite në fshatin Cernushë të Mitrovicës, bëjnë të ditur burime të media.

Sipas këtyre burimeve, polici mund të ketë qëlluar veten aksidentalisht me armë, gjatë ushtrimeve të gjuajtjes në poligonin e Cërnushës.

Mësohet se polici ishte nga stacioni policor në veri të Mitrovicës.

Media ka provuar të kontaktojë përgjegjësit e policisë në veri në lidhje me rastin, por ata nuk janë përgjigjur.