Stalinizimi i Rusisë

Teksa po e kupton se nuk mund ta fitojë luftën në Ukrainë, Vladimir Putin po i drejtohet represionit në RusiKur Vladimir Putin dha urdhër për pushtimin e Ukrainës, ëndrra e tij ishte ta rivendoste lavdinë e perandorisë ruse. Tash ka përfdunduar duke e rivendosur terrorin e Josef Stalinit. Kjo po ndodh jo vetëm sepse ai e ka lëshuar aktin më të dhunshëm të agresionit të paprovokuar në Evropë që nga viti 1939, por edhe sepse, si rezultat, ai po shëndrrohet në një diktator në Rusi – një Stalin i shekullit të 21-të, duke e gjetur ngushëllimin si asnjëherë më parë tek gënjeshtrat, dhuna dhe paranoja.Për ta kuptuar shkallën e gënjeshtrave të Putinit, duhet marrë parasysh se si është planifikuar lufta. Presidenti rus ka menduar se Ukraina do të kollapsojë me shpejtësi, kështu që ai nuk i përgatiti njerëzit e tij për pushtimin ose ushtarët e tij për misionin e tyre – në fakt, ai i siguroi elitat se nuk do të ndodhte lufta fare. Pas dy javësh të tmerrshme në fushën e betejës, ai ende po e mohon se po bën atë që mund të bëhet lufta më e madhe e Evropës që nga viti 1945. Për ta mbështetur këtë gënjeshtër gjithëpërfshirëse, ai ka mbyllur pothuajse krejt median e pavarur, i ka kërcënuar gazetarët me deri në 15 vjet në burg nëse nuk i shkruajnë dhe raportojnë të pavërtetat zyrtare dhe ka arrestuar me mijëra protestues kundër luftës. Duke këmbëngulur se “operacioni” i tij ushtarak po e denazifikon Ukrainën, televizioni shtetëror e po ri-stalinizon Rusinë.Për të kuptuar apetitin e Putinit për dhunë, hidhni një sy mënyrës se si po zhvillohet lufta. Pasi nuk arriti ta korrë një fitore të shpejtë, Rusia po përpiqet të mbjellë panik duke i lënë qytetet ukrainase në uri dhe duke i goditur ato verbërisht. Më 9 mars ushtreia ruse goditi një maternitet në Mariupol. Nëse Putini po kryen krime lufte kundër sllavëve të tjerë që i ka lavdëruar shumë në shkrimet e tij, tani ai është gati për një masakër në shtëpinë e tij, Rusi.Dhe për ta vlerësuar paranojën e Putinit, imagjinoni se si përfundon lufta. Rusia ka më shumë fuqi ushtarake se Ukraina dhe ende po shënon progres, veçanërisht në jug. Mund ta pushtojë ende kryeqytetin, Kievin. E megjithatë, edhe nëse lufta zgjat me muaj, është e vështirë të shihet Putini si fitimtar.Supozoni se Rusia arrin ta instalojë një qeveri të re. Ukrainasit tani janë të bashkuar kundër pushtuesit. Një qeveri kukull e Putinit nuk do të mund të sundonte pa një okupim, por Rusia nuk ka para apo trupa për të garnizonuar (rrethuar me trupa) as gjysmën e Ukrainës. Doktrina e ushtrisë amerikane thotë se për t’u përballuar me një kryengritje – në këtë rast, një kryengritje e cila e ka mbështetjen e NATO-s – pushtuesit kanë nevojë për 20 deri në 25 ushtarë për 1000 njerëz; Rusia ka pak më shumë se katër ushtarë për 1000 banorë.Nëse, siç mund ta ketë filluar të japë sinjale Kremlini, Putini nuk do ta imponojë një qeveri kukull – sepse nuk mundet – atëherë ai do të duhet të bëjë kompromis me Ukrainën në bisedimet e paqes. Megjithatë ai do të përpiqet shumë që ta implementojë çdo marrëveshje të tillë. Në fund të fundit, çfarë do të bëjë ai nëse Ukraina e pasluftës e rifillon lëvizjen e saj drejt Perëndimit: pushtimin?E vërteta po fundoset në atë që, duke e sulmuar Ukrainën, Putini ka bërë një gabim katastrofik. Ai e ka shkatërruar reputacionin e forcave të armatosura të supozuara të frikshme të Rusisë, të cilat janë dëshmuar taktikisht të paafta kundër një kundërshtari më të vogël, më të armatosur, por tejet të motivuar. Rusia ka humbur tepër shumë pajisje dhe ka pësuar mijëra viktima, pothuajse po aq në dy javë sa ka pësuar Amerika në Irak të cilën e pati pushtuar në vitin 2003.
Putin ka sjellë sanksione shkatërruese ndaj vendit të tij. Banka qendrore nuk ka qasje në monedhën e fortë që i nevojitet për të mbështetur sistemin bankar dhe për ta stabilizuar rublën. Brendet e mëdha, përfshirë Ikea dhe Coca-Cola, i kanë mbyllur dyert e tyre. Disa mallra janë duke u rralluar. Eksportuesit perëndimorë po mbajnë në burim komponentët jetikë, duke çuar në ndalimin e fabrikave. Sanksionet mbi energjinë – tani për tani, të kufizuara – kërcënojnë ta shtrëngojnë këmbimin valutor që Rusia duhet të paguajë për importet e saj.Dhe, ashtu siç bëri Stalini dikur, Putini po e shkatërron borgjezinë, motorin e madh të modernizimit të Rusisë. Në vend që të dërgohen në gulag, ata po ikin në qytete si Stambolli, në Turqi dhe Jerevani, në Armeni. Ata që zgjedhin të qëndrojnë po pengohen nga kufizimet në fjalën e lirë dhe shoqërimin e lirë. Ata do të goditen nga inflacioni i lartë dhe dislokimi ekonomik. Në vetëm dy javë, ata e kanë humbur shtetin e tyre.Stalini kryesoi një ekonomi në rritje. Sado vrastare, ai u bazua në një ideologji të vërtetë. Edhe kur kryente mizori, ai e konsolidoi perandorinë sovjetike. Pasi u sulmua nga Gjermania naziste, ai u shpëtua nga sakrifica e pabesueshme e vendit të tij, i cili bëri më shumë se çdo tjetër për ta fituar luftën.Putini nuk i ka asnjë nga këto avantazhe. Jo vetëm që ai po dështon ta fitojë një luftë të zgjedhur duke e varfëruar popullin e tij: regjimit të tij i mungon një bërthamë ideologjike. “Putinizmi”, çfarë edhe është tani, duke e përzier nacionalizmin dhe fenë ortodokse për një audiencë televizive. Rajonet e Rusisë, të shtrira në 11 zona kohore, tashmë po mërmërisin se kjo është lufta e Moskës.Ndërkohë që shkalla e dështimit të Putinit po bëhet e qartë, Rusia do të hyjë në momentin më të rrezikshëm në këtë konflikt. Fraksionet në regjim do të kthehen kundër njëri-tjetrit në një spirale faji. Putini, i frikësuar nga një grusht shteti, nuk do t’i besojë askujt dhe mund t’i duhet të luftojë për pushtet. Ai gjithashtu mund të përpiqet ta ndryshojë rrjedhën e luftës duke i tmerruar armiqtë e tij ukrainas dhe duke i larguar edhe më përkrahësit e tyre perëndimorë me armë kimike, apo edhe me një sulm bërthamor.Teksa bota po shikon se çfarë po ndodh, njëkohësisht duhet të provojë ta kufizojë rrezikun përpara. Duhet t’i demaskojë gënjeshtrat e Putinit duke e nxitur të vërtetën. Kompanitë teknologjike perëndimore kanë gabuar kur i mbyllën operacionet e tyre në Rusi, sepse, kësisoji, po i japin regjimit kontroll të plotë mbi rrjedhën e informacionit. Qeveritë që i mirëpresin refugjatët ukrainas duhet t’i mirëpresin gjithashtu emigrantët rusë.NATO mund të ndihmojë në zbutjen e dhunës së Putinit – të paktën në Ukrainë – duke vazhduar me armatosjen e qeverisë së Volodymyr Zelensky dhe ta mbështesë atë nëse ai vendos se ka ardhur koha për të hyrë në negociata serioze. NATO gjithashtu mund ta rrisë presionin ndaj Putinit duke vazhduar më shpejt dhe më thellë me sanksionet energjetike, ndonëse me një kosto për ekonominë botërore.Dhe Perëndimi mund të përpiqet ta përmbajë paranojën e Putinit. NATO duhet të deklarojë se nuk do të qëllojë mbi forcat ruse, për sa kohë që ato nuk sulmojnë më parë. Nuk duhet t’i japë Putinit një arsye për ta tërhequr Rusinë në një luftë më të gjerë duke shpallur një zonë ndalim-fluturimi që do të kishte nevojë të implementohej pastaj ushtarakisht. Sado që Perëndimi do ta donte një regjim të ri në Moskë, Perëndimi duhet të deklarojë se nuk do ta krijojë drejtpërdrejt një të tillë. Çlirimi është një detyrë për popullin rus.Ndërkohë që Rusia fundoset, kontrasti me presidentin fqinj është i dukshëm. Putini është i izoluar dhe moralisht i vdekur; Zelensky është një njeri i guximshëm që e ka bërë unik popullin e tij dhe botën. Ai është antiteza e Putinit – dhe ndoshta armiku i tij. Paramendojeni se çfarë mund të bëhet Rusia pasi të çlirohet nga Stalini i saj i shekullit të 21-të./The Economist