​Lajçak: Dialogu Kosovë-Serbi është i pashmangshëm

Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak, deklaroi se në Serbi nuk po shkon me një ultimatum dhe se vendi fqinj nuk ka pse të ketë frikë nga angazhimi i BE-SHBA rreth çështjes së dialogut.

Në një intervistë për Tanjug, Lajcak tha se shpreson që pas vizitës në Kosovë e Serbi të ketë një përgjigje se kur do të fillojë dialogu mes dy palëve.

“Nuk është sekret se BE-ja pret një vazhdim të dialogut dhe se dialogu është i pashmangshëm për Beogradin dhe Prishtinën në rrugën drejt anëtarësimit të BE-së. BE-ja është këtu, ne jemi gati t’i marrim dy udhëheqësit në Bruksel dhe tani është çështja se kur do të ndodhë kjo. Unë dua të dëgjoj një përgjigje lidhur me këtë çështje gjatë kësaj vizite” tha Lajcak në intervistë të zhvilluar në gjuhën serbe.

Duke komentuar raportimet e mediave se ai do të bënte presion për një marrëveshje për Serbinë, ai tha se Bashkimi Evropian nuk bën ultimatume.

“Puna e Bashkimit Evropian nuk bazohet në ultimatume. Ne jemi këtu për t’ju ndihmuar. Qëllimi i dialogut është të ndihmojë Beogradin dhe Prishtinën dhe një të ardhme evropiane për të gjithë rajonin”, tha ai.

Kur u pyet në lidhje me insistimin e SHBA për njohje të ndërsjellë mes dy vendeve, Lajcak u përgjigj se qëllim i dialogut është normalizimi i raporteve dhe se Beogradi dhe Prishtina janë palët që duhet të arrijnë një marrëveshje mbi atë se çfarë është normalizimi.

Ndryshe, Lajçak pritet të mbërrijë sot në Kosovë për një vizitë treditore në vendin tonë e cila do të pasohet nga vizita në Beograd.