​Haradinaj në Hagë: Prokuroria të mos vazhdojë rehabilitimin e kriminelëve serbë

Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj ka rrëfyer kohën e arrestimit e cila kishte ndodhur në shtator të vitit 2020. Edhe njëherë ai ka shprehur qëndrimin e tij kundër punës së Zyrës së prokurorit të Specializuar për të cilën ka thënë që po merr për dëshmitarë kriminelët serbë.

Para Dhomave të Specializuara në Hagë, Haradinaj ka thënë se forcat e EULEX-it e kishte përcjellë deri pranë ndërtesës së një televizioni në Prishtinë në të cilin ai po shkonte për të dhënë intervistë, ku edhe u arrestua.

Nga vendi i arrestimi që kishte ndodhur në lagjen “Pejton”, në Prishtinë, Haradinaj ka thënë se është dërguar në selinë e EULEX-it në Fushë Kosovë, ku i është thënë se menjëherë do të transferohet për në Hagë.

Megjithatë, më pas Haradinaj ka treguar se e kanë lajmëruar se udhëtimi nuk mund të bëhet deri ditën e nesërme.

Në ditën e dytë të dëshmisë së tij, Haradinaj ka thënë se fletë-arrestin ndaj tij nuk e ka parë as në momentin e arrestimit e as gjatë qëndrimit në qendrën e EULEX-it.

Pas një natë qëndrimi në qeli, Haradinaj ishte nisur për në qendrën e paraburgimit në Hagë, nën përcjelljen tani vetëm të hetuesve të Speciales, derisa Policia e Kosovës kishte qenë pjesë e operacionit vetëm gjatë arrestimit të tij në Prishtinë.

Para trupit gjykues, Haradinaj ka thënë se nuk e ka kërcënuar asnjë dëshmitarë apo dikë tjetër gjatë jetës së tij.

“Prokuroria shpesh fjalët po i spekulon, ose duhet me panu që nuk dinë dhe po referohet kësaj. Spiunët e dimë krejt bota se kush janë, spiunët janë bashkëpunëtorët e regjimit komunist në atë kohë që më kanë përcjellë dhe që vazhdojnë fatkeqësisht ende të jenë në krye të qeverisë sime, nuk ka të bëjë me spiunë të këtyre. Bashkëpunëtorët janë ata të cilët edhe gjatë kohës së luftës, fatkeqësisht edhe shqiptarët që unë po lypi që dhe ta kjo prokurori t’i hetojë, kanë kryer krime së bashku me forcat serbe… (përmbajtje e redaktuar)”, ka thënë ai.

Edhe njëherë, ai e ka kundërshtuar qasjen dhe punën e Zyrës së Prokurorisë së Specializuar, duke thënë se e njëjta po rehabiliton kriminelë.

“Prapë kërkoj nga kjo prokurori të mos vazhdojë me këtë rrugë, të mos vazhdojë me rehabilitu kriminelë, sepse të marrësh një dëshmi nga kriminelët, sidomos serb, nuk po quaj kriminelë pse janë serb por sepse janë të dëshmuar, kanë kry vet ekzekutime dhe kanë dhënë urdhër për ekzekutime, këta normal që për ta janë të edukuar që shqiptarët janë fajtor. Nuk dua ta përjetoj në shtetin tim të pavarur prapë një sistem, ose një gjykatë të Kosovës që është edhe më e rreptë se gjykatat serbë në ’81 në raport, më fal e thash gjykatë e kam fjalën të prokuroria, në raport me kohën që jetojmë sot, 40 vite më vonë. Nëse është e tillë, prap po them, jam kundër dhe në këtë formë që po shkon kjo prokurori vetëm me rastin tim që po e shoh, unë jam kundër, e kundërshtoj qind për qind”, ka thënë Haradinaj.

Me përfundimin e pyetjeve të avokatit mbrojtës, Haradinaj po vazhdon dëshminë e tij duke u përgjigjur në pyetjet e Zyrës së Prokurorit të specializuar.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës./KP