Zyrtari iranian: Ngushtica e Hormuzit nuk do të dorëzohet kurrë, ligj i ri për kontrollin e saj

Një ligjvënës i lartë në Irani ka deklaruar se vendi nuk do të heqë kurrë dorë nga kontrolli mbi Ngushtica e Hormuzit, një nga korridoret detare më strategjike në botë për transportin e naftës dhe tregtinë ndërkombëtare.

“Kurrë. Është e drejtë jonë e patjetërsueshme,” u shpreh Ebrahim Azizi, ish-komandant i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) dhe aktualisht kryetar i Komitetit për Sigurinë Kombëtare dhe Politikën e Jashtme në parlamentin iranian, në një intervistë për BBC-në.

Sipas tij, Irani do të përcaktojë rregullat e kalimit nëpër ngushticë, përfshirë edhe autorizimet për anijet që kalojnë në këtë rrugë jetike detare.

Azizi njoftoi gjithashtu se në parlament po përgatitet një projektligj i ri, i bazuar në nenin 110 të kushtetutës iraniane, i cili lidhet me mjedisin, sigurinë detare dhe sigurinë kombëtare. Sipas tij, forcat e armatosura do të jenë përgjegjëse për zbatimin e këtij ligji.

“Po e paraqesim një projektligj në parlament… dhe forcat e armatosura do ta zbatojnë atë,” tha ai.

Ngushtica e Hormuzit, përmes së cilës kalon një pjesë e madhe e eksporteve globale të naftës, konsiderohet një pikë kritike gjeostrategjike. Çdo tension në këtë zonë ka potencialin të shkaktojë pasoja të menjëhershme ekonomike në tregjet globale të energjisë.

© SYRI.net