Zyrtari i BE-së: Rusia do të mbahet përgjegjëse për krimet e mundshme të luftës

Rusia do të mbahet përgjegjëse për krimet e luftës dhe shkeljet e ligjit ndërkombëtar për krimet që pretendohet se janë kryer nga forcat e saj në Ukrainë, u zotua një zyrtar i Bashkimit Evropian, teksa Ukraina dhe komuniteti ndërkombëtar po bëjnë përpjekje për të mbledhur të dhëna për hetime penale.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Eamon Gilmore, përfaqësues i posaçëm i BE-së për të drejtat e njeriut, po ashtu sugjeroi se një ditë edhe presidenti rus, Vladimir Putin, mund të dalë në bankën e të akuzuarve, por jo siç kishte ndodhur në rastin e presidentit serb, Sllobodan Millosheviq, pas shpërbërjes së përgjakshme të Jugosllavisë.

“Millosheviqi kurrë nuk e kishte menduar se do të përballej me gjykime apo me Tribunalin e Hagës kur ai kreu krime të luftës”, tha Gilmore.

“Njerëzit që janë përgjegjës mund të mbahen përgjegjës për krime pavarësisht se sa kohë mund të duhet për këtë”, shtoi ai.

Hetuesit ukrainas dhe ndërkombëtarë po intervistojnë dëshmitarë, po dokumentojnë krimet e supozuara dhe po mbledhin dëshmi për krimet e supozuara ruse, në mënyrë që të mund t’i përdorin në ndjekjet penale në të ardhmen.

Pas tërheqjes së trupave ruse muajin e kaluar nga zonat në veri të Kievit, zyrtarët po hetojnë nëse civilët janë ekzekutuar nga trupat ruse, por po ashtu po mbledhin të dhëna për raste të dyshuara të dhunimeve.

Human Rights Watch është në mesin e disa organizatave që në mars akuzoi trupat ruse për “krime të shumta që duket se janë krime lufte” në qytezën e Buçës, në veri të Kievit, para se trupat të tërhiqeshin nga kjo zonë, pasi Kremlini përqendroi ofensivën e saj në jug dhe lindje të Ukrainës.

“Bombardimi i spitaleve është krim lufte. Bombardimi i shkollave është krim lufte. Bombardimi i çerdheve të fëmijëve është krim lufte. Shënjestrimi i civilëve. Këto janë krime të luftës”, tha Gilmore.

“Aktualisht po kryhen hetime, veçmas hetimet nga Gjykata Ndërkombëtare Penale. Dhe do të ketë përgjegjësi për atë që ka ndodhur këto ditë në Ukrainë, për atë që po ndodh që prej 24 shkurtit”, shtoi ai.

Pavarësisht urgjencës për të mbledhur dëshmi në Ukrainë, hetuesit përballen me betejë për të mbajtur përgjegjës para një gjykate ndërkombëtare ndonjë komandant rus ose lider politik.

Rusia nuk është anëtare as e Gjykatës Ndërkombëtare Penale, me seli në Hagë, e as anëtare e Bashkimit Evropian. Ajo u dëbua nga Këshilli i Evropës disa ditë pasi nisi pushtimin e Ukrainës; para kësaj, Moska rregullisht kishte injoruar vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe madje kishte miratuar amendamente kushtetuese që drejtpërdrejt binin ndesh me vendimet e kësaj gjykate.

Rusia ka fuqinë e vetos në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që nënkupton se do të bllokojë çdo përpjekje të udhëhequr nga OKB-ja për këtë çështje.

Katër ditë pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, kryeprokurori i Gjykatës në Hagë, njoftoi se ka hapur një hetim për krime lufte në Ukrainë, që heton krimet që prej vitit 2014 kur nisi lufta në rajonin lindor ukrainas të Donbasit dhe trupat e rregullt rusë morën pjesë në të paktën dy beteja të mëdha atje.

Sipas rregullave të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Ukraina, e cila është anëtare e kësaj gjykate, mund t’i kërkojë asaj që të ushtrojë juridiksionin e saj mbi hetimet për krime të mundshme lufte.

Megjithatë, Gilmore argumentoi se koha nuk është pengesë për nisjen e rasteve penale dhe ai tha se teknologjitë moderne, siç janë imazhet satelitore, e bëjnë më të lehtë mbledhjen e dëshmive.

“Ideja që personat që drejtpërdrejt kanë qenë të përfshirë në kryerjen e këtyre krimeve ose të atyre që janë përgjegjës për dhënien e urdhrave dhe kanë përgjegjësi politike për luftën… të gjitha këto do të hetohen”, tha ai.

Në Tribunalin Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, Millosheviq u bë lideri i parë i shtetit që ishte ende në detyrë, që u ndoq penalisht për krimet e luftës, të kryera në ish-Jugosllavi. Ai vdiq në Hagë më 2006, para se gjykata të mund të jepte vendimin për rastin e tij.

I pyetur për raportimet se trupat ukrainase mund të kenë kryer krime të luftës, Gilmore sugjeroi se edhe ata do të hetohen, por ai minimizoi këto raportime.

“Rusia është agresore në Ukrainë, mos ta harrojmë kurrë këtë. Ukraina nuk e ka pushtuar Rusinë, Rusia e ka pushtuar Ukrainën. Prandaj, mendoj se ne duhet ta marrim parasysh dhe të shmangim grackën e alternativave apo narrativëve paralelë që po krijohen”, tha ai./REL