Funksionarët e Bashkimit Demokratik për Integrim në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut në përbërje: zëvendëskryeministrat Sadulla Duraku dhe Bujar Osmani, ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, ai i Arsimit dhe Shkencës Arbër Ademi, ministri i Ambientit Jetësor Naser Nuredini dhe ministri për Investime Isen Xhemaili, zëvendësministra, sekretar shtetëror dhe funksionar tjerë sot kanë qëndruar për vizitë në disa vendbanime të Komunës së Sarajit.
Fillimisht qëndruan në fshatin Gllumovë ku vizituan SHF “Sami Frashëri” ku kanë përfunduar punimet për ndërtimin e sallës së sportit në këtë shkollë.
“Bëhet fjalë për investim kapital që ka vlerë prej 24 milion denarësh , investim i cili është bërë në përputhje më të gjitha kushtet dhe standardet për të poseduar një sallë moderne me efikasitet energjetik e pajisur me të gjitha pajisjet për zhvillimin e orëve të arsimit fizik dhe sportit, ku kuptohet se mund të organizohen më tepër lëmi të sporteve në ketë sallë. Të gjitha këto janë në vazhdën e aktiviteteve tona dhe investimeve tona në çdo komunë dhe në çdo cep të territorit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për të përmirësuar kushtet infrastrukturore veçanërisht për organizimin e lëndës së arsimit fizik dhe sportit duke pasur parasysh se një nga reformat, ndryshimet, risitë që i kemi paraparë në ligjin e ri për arsimin fillor është angazhimi i dy mësimdhënësve duke filluar nga klasa e parë në organizimin e kësaj lënde”, theksoi ministri i Arsimit dhe Shkencës Arbër Ademi.
Ndërsa kryetari i Komunës së Sarajt Blerim Bexheti falënderoi përfaqësuesit e ekzekutivit për mbështetjen në realizimin e projekteve në territorin e kësaj komune.
“Me këtë rast dua t’ju njoftoj se së shpejti do të përurojmë dhe do të lëshojmë në përdorim edhe sallën e re sportive për shkollën e mesme të Sarajit, ku bëhet fjalë për një model tjetër, krahasuar me këtë model dhe dalëngadalë i kompletojmë investimet e planifikuara në komunën ë Sarajt që kanë të bëjnë me përmirësimin, modernizimin dhe rehabilitimin e kushteve në shkolla dhe në institucione arsimore. Sot Komuna e Sarajit ka caktuar një ditë llogaridhënie që do të kemi disa aktivitete me ministrat e Qeverisë, ku tani jemi në vizitë tek shkolla fillore “Sami Frashëri” ku salla është e ndërtuar, fasadimi i shkollës është i përfunduar , mbetet vetëm pjesa e oborrit që të përfundohet që është obligimi i komunës dhe këtë shumë shpejtë do të përfundojmë. Më lejoni që t’u falënderoj përfaqësuesit e ekzekutivit dhe të gjithë ministrat për mbështetjen e projekteve në Komunën Saraj ku me një sinkronizim dhe bashkëpunim ndërinstitucional që punojmë në interes të qytetarëve të komunës së Sarajit për shërbime sa më cilësore si në arsim ashtu edhe në sferat tjera”, tha kryetari i Komunës Blerim Bexheti.
Gjatë qëndrimit në Komunën e Sarajit delegacioni i qeverisë kanë vizituar kompaninë “Eko Farm Shishovë” në fshatin Shishovë dhe kompaninë “JUS MB” në Saraj dhe vizituan vendbanimin Bukoviç. Në ora 18.00 do të marrin pjesë në Takimin me qytetarët që e organizon Komuna e Sarajit, ku kryetari i kësaj komune Blerim Bexheti para qytetarëve do të jep llogari për punën dy vjeçare.