Zyrtare: Luis Suarez prezantohet si lojtar i Inter Miamit

Inter Miami ka konfirmuar zyrtarisht nënshkrimin me Luis Suarez, i cili bashkohet me klubin amerikan si lojtar i lirë.

Tani shkon në katër numri i lojtarëve legjendarë të Barcelonës që do të luajnë për Inter Miamin.

Verën e kaluar Lionel Messi bëri bujë kur nënshkroi për Inter Miami, ndërsa pas tij u bashkuan Sergio Busquets dhe Jordi Alba.

 

Të katër legjendat e Barçës fituan Ligën e Kampionëve në Barcelonë në 2015. Që atëherë, Blaugrana ende nuk ka vënë dorë mbi trofeun me veshët e mëdhenj.

Suarez ka nënshkruar një marrëveshje njëvjeçare me Inter Miami me një opsion për të qëndruar edhe për një vit tjetër.

Njëri nga pronarët e klubit, David Beckham është shprehur i lumtur me ardhjen e Luis Suarez.

 

“Ne jemi të kënaqur që një lojtar me cilësinë dhe pasionin e Luis për lojën i bashkohet klubit tonë. Ai i bashkohet një skuadre që po frymëzon gjeneratën e ardhshme dhe ne mezi presim ta shohim atë të dalë në fushë me ish-shokët e skuadrës dhe lojtarët e rinj nga akademia jonë,” ka thënë David Beckham.