Qytetarët e Zvicrës do t’u drejtohen kutive të votimit të dielën për të vendosur nëse vendi duhet të vendosë një kufi maksimal prej 10 milionë banorësh deri në vitin 2050, në një referendum që ka polarizuar opinionin publik dhe klasën politike.
Nisma mbështetet nga Partia Popullore e Zvicrës, partia më e madhe e krahut të djathtë në vend, e cila argumenton se rritja e shpejtë e popullsisë po ushtron presion mbi strehimin, transportin publik, shërbimet sociale dhe mjedisin.
Megjithatë, Qeveria zvicerane, partitë kryesore politike, sindikatat dhe komuniteti i biznesit e kundërshtojnë propozimin, duke e cilësuar atë si një “nismë kaotike” që mund të shkaktojë mungesë të fuqisë punëtore dhe të dëmtojë marrëdhëniet e vendit me Bashkimin Evropian.
Popullsia e Zvicrës është rritur ndjeshëm gjatë dy dekadave të fundit, nga 7.3 milionë banorë në vitin 2002 në rreth 9.1 milionë sot. Rreth 27 për qind e banorëve janë shtetas të huaj.
Sipas propozimit, qeveria do të detyrohej të ndërmarrë masa sapo popullsia të arrijë në 9.5 milionë banorë. Këto masa mund të përfshijnë kufizimin e azilit, reduktimin e bashkimit familjar për punëtorët e huaj dhe, nëse kufiri prej 10 milionësh do të tejkalohej, edhe anulimin e marrëveshjeve ndërkombëtare që garantojnë lëvizjen e lirë të njerëzve.
Kjo perspektivë ka alarmuar bizneset zvicerane, të cilat paralajmërojnë se vendi mund të humbasë aksesin në tregun evropian të punës dhe të përballet me tensione të reja me Brukselin.
Sektorë si turizmi, shëndetësia dhe kujdesi social varen në masë të madhe nga punëtorët e huaj. Rreth gjysma e të punësuarve në industrinë hoteliere janë emigrantë, ndërsa spitalet dhe qendrat e kujdesit mbështeten gjithashtu te personeli i ardhur nga jashtë.
Mbështetësit e referendumit argumentojnë se emigracioni i pakontrolluar po ndryshon karakterin e vendit dhe po përkeqëson krizën e strehimit, trafikun dhe mbingarkesën e shërbimeve publike.
Kundërshtarët, nga ana tjetër, theksojnë se problemet aktuale lidhen me politikat publike dhe investimet e pamjaftueshme, jo me emigracionin. Ata paralajmërojnë se Zvicra ka nevojë për fuqi të re punëtore për të mbështetur një popullsi që po plaket me ritme të shpejta.
Sondazhet e fundit tregojnë një garë shumë të ngushtë. Rreth 52 për qind e votuesve deklarohen kundër nismës, ndërsa 45 për qind në favor, me një numër të konsiderueshëm qytetarësh ende të pavendosur.
Rezultati i referendumit pritet të ketë pasoja të rëndësishme jo vetëm për politikën e emigracionit në Zvicër, por edhe për marrëdhëniet e saj me Bashkimin Evropian dhe pozicionin e vendit në një klimë ndërkombëtare gjithnjë e më të pasigurt.



