Zvicra i ndalon hyrjen politikanit të njohur shqiptar/ Organizata që drejton konsiderohet terroriste

Zvicra i ka ndaluar qëndrimin në territorin e saj ish-kreut politik e ushtarak të Armatës Kombëtare Shqiptare (AKSH) Gafurr Adilit.

Zyra federale e policisë (Fedpol) ka refuzuar kërkesën për heqjen e përkohshme të ndalimit të hyrjes në Zvicër, vendosur më 2003 nga Këshilli Federal, siç shkruhet në Fletoren Federale.

Qeveria zvicerane në atë kohë vendosi dëbimin e ish-refugjatit sepse druhej se aktiviteti i Adilit mund të vinte në rrezik marrëdhëniet midis Zvicrës e Maqedonisë, si dhe me shtete të tjera si Zvicra që impenjohen për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore në Ballkan dhe dënojnë aktivitetet terroriste të nacionalistëve shqiptarë.

Adili kishte krijuar në Zvicër një qendër përkrahjeje logjistike që kryente aktivitet propagandistik dhe mblidhte para.

Më 1 korrik 2003, Adili u arrestua në Shqipëri, por u lirua pak muaj më pas. Ndërkohë, në fund të qershorit 2003, zyra federale e refugjatëve në Zvicër i kishte hequr statusin e refugjatit.

Grupi i AKSH kishte marrë përsipër autorësinë e një serie atentatesh në të cilët, që nga viti 2001, janë vrarë 25 anëtarë të forcave të sigurisë maqedonase e serbe. Në fillim të 2003, AKSH kishte nisur luftën e armatosur. Administrata e OKB-së në Kosovë e kishte cilësuar AKSH-në si organizatë terroriste.

Eksponentët e saj janë në listën e zezë të qeverisë së SHBA. Që në qershor e korrik 2001 Këshilli Federal i Zvicrës ishte detyruar të merrte masa kundër eksponentëve të konfliktit maqedonas që banonin në Zvicër. Berna nuk lejon që nga territori i saj të burojnë rreziqe direkt ose indirekt për sigurinë e brendshme të shteteve të tjera.

Zvicra i ndalon hyrjen politikanit të njohur shqiptar/ Organizata që