Zv/kryeministrat e parë të BDI-së, “të padukshëm”

Kërkesa e BDI-së për kryeministër shqiptar vjen pas disa mandateve të disa zv/kryeministrave të parë në ekzekutiv aktiviteti i të cilëve ka qenë pothuajse gjithmonë nën hije dhe pa rezultate. Zëvendëskryeministri për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit ndër vite ka qenë i pari ndër ministrat shqiptar që ka koordinuar punën e të gjithë ministrave të tjerë shqiptarë. Në rolin e zv/kryeministrit, Musa Xhaferi nuk ishte pothuajse aspak i pranishëm në publik dhe mediat kishin pasur shumë pak mundësi ta intervistonin dhe t’i parashtronin pyetje. Për rolin e Xhaferit më shumë u dëgjua në “bomba” ose në materialet e përgjuara. Shpejt pas shpërthimit të skandalit me përgjimet, BDI-ja ndryshoi ministrat dhe vendin e tij e zuri Festim Halili. Pa një mandat të plotë, Halili do të mbahet mend për angazhimin e “kioskës” nga Tetova për analizimin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit.
Me ndryshimin e pushtetit në vitin 2017, në pozitën e zv/kryeministrit të parë nga radhët e BDI-së erdhi Hazbi Lika. Si rezultat i pakënaqësive të brendshme politike, Lika u pa shumë rrallë në publik dhe në aktivitetet qeveritare. Ai nuk u paraqit në vendin e punës për më shumë se gjashtë muaj. Më vonë, Lika u shkarkua kurse me formatimin e Qeverisë, vendin e tij e zuri ministri i deriatëhershëm i Ekologjisë, Sadulla Duraku. Institucioni që ai drejton, nga organizatat civile vendase vlerësohet si aspak transparent.
Ndër detyrat kyçe dhe më të rëndësishme të Sekretariatit për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe të zv/kryeministrit të parë në ekzekutiv ka qenë sigurimi i përfaqësimit të drejtë në institucione. Procesi i sistematizimit të administratorëve nuk ka përfunduar dhe pas gjithë këtyre mandateve dhe pas gjithë këtyre personave të krye të këtij organi. Zëvendëskryeministrat e parë shqiptarë nuk mbahen mend për promovimin e ndonjë projekti madhor dhe as realizimin e projekteve të tilla, ndërkohë që BDI-ja sot kërkon pozitë akoma më të lartë, atë të kryeministrit./Alsat