Derkoski: Me siguri të mërkurën do ta përmbyllim listën zgjedhore

Me siguri të mërkurën do ta përmbyllim listën zgjedhore. Kanë përfunduar të gjitha aktivitetet e nevojshme, përpunimi i të dhënave. Nuk mund ta them numrin e saktë, por 1.814.000 dhe disa qindra votues do të jenë në listën zgjedhore në këto zgjedhje. Do të presim deri të mërkurën kur përfundimisht do ta bëjmë të ditur numrin e saktë. Pastaj lista zgjedhore përpunohet në shërbimet tona, gjenerohet për t’u shtypur në shtypshkronjë, bëri të ditur kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) Oliver Derkoski duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve në konferencën e sotme për shtyp me ministrin e Punëve të Brendshme Naqe Çulevin.

Ai informoi se pas konferencës për shtyp, i gjithë Komisioni do të shkojë në shtypshkronjën “Kiro Dandaro” në Manastir që të bëjë procesverbal të pranimit të materialeve nga të cilat do të përpunohen fletëvotimet dhe listat zgjedhore para se të fillojë me shtypje.

“Regjistrohet i gjithë procesi i shtypjes, numërimit, verifikimit të materialit që do të përdoret si material për votim në zgjedhje”, përmendi Derkoski.

Kryetari i KSHZ-së deklaroi se tani për tani nuk ka numër të madh të kërkesave për ndërrimin e anëtarëve dhe zëvendësanëtarëve të këshillave zgjedhorë. Përkujtoi se në pajtim me ligjin, dihen kriteret të cilat duhet të përmbushen për përjashtim nga anëtari dhe zëvendësanëtarit në këshillat zgjedhorë, arsye serioze shëndetësore, sëmundje kronike nga lista e sëmundjeve kronike që është publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale dhe arsye serioze familjare për të cilët duhet të sigurohen dëshmi. Kërkesa dorëzohet deri te Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i cili vendos për atë, dhe pas zgjedhjes së rastësishme nga baza e MSHIA, nga administrata publike kryhet zgjedhje e re.

“Të gjithë duhet të jemi të ndërgjegjshëm se duhet të japim kontributin tonë si qytetarë të këtij shteti që të zbatohet ky proces zgjedhor në mënyrë sa më të mundshme të mirë”, tha Derkoski.

Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve, përsëriti se lista zgjedhore është e pastër, i përmban të dhënat e të gjithë qytetarëve të rritur të cilët kanë mbushur 18 vjet dhe kanë nënshtetësi. Këto janë dy kushtet të cilat duhet t’i përmbushë secili qytetar që të jetë në listën zgjedhore, ta fitojë të drejtën e votës apo të zgjidhet.

I pyetur për votimin e diasporës, Derkoski tha se në këto zgjedhje nuk do të ketë votim të diasporës në pajtim me vendimin e kryetarit të Kuvendit, i cili, siç tha, konfirmoi se të gjitha veprimet paraprake të cilat janë ndërmarrë kanë përfunduar dhe për shkak se diaspora jonë kur ka pasur mundësi nuk janë paraqitur në numër të mjaftueshëm.

Kryetari i KSHZ-së njëherit ka bërë apel që dita e mërkurë të respektohet si heshtje zgjedhore./MIA